Meta shtron darkë Iftar në Pallatin e Brigadave

schedule21:21 - 30 Maj, 2018

schedule 21:21 - 30 Maj, 2018

Presidenti Ilir Meta shtroi në Pallatin e Brigadave një darkë Iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Të pranishëm ishin Kreu i KMSH, Haxhi Skënder Bruçaj, udhëheqës fetarë të bashkësive shqiptare, ambasadorë e përfaqësues diplomatikë, teologë e personalitete të ndryshme.

Meta uroi besimtarët myslimanë: “Paqe e mirësi në shpirtin dhe familjet tuaja!  Agjërim të lehtë për gjithë besimtarët myslimanë! Lumturi për gjithë shqiptarët. Kjo mbrëmje Iftari, për të ndarë së bashku nderimin për Muajin e bekuar të Ramazanit.Muaji Ramazanit një mundësi për të shprehur vlerësimin ndaj Zotit si dhe vëllazërimin, mirëkuptimin dhe harmoninë ndër fetare që ekziston në Shqipëri.

 Vlerësoj sakrificën e besimtarëve në përkushtimin ndaj Zotit si dhe ndaj vlerave humane. Muaji i bekuar i Ramazanit është muaji i mirëkuptimit, paqes dhe i mëshirës hyjnore. Muaji ku dalin në pah cilësitë më të mira njerëzore si bujaria, toleranca, durimi, shpirtmirësia si dhe respekti e dashuria për njëri tjetrin. Muaji i Ramazanit i fton besimtarët për më shumë dhembshuri e bujari sidomos për të varfrit, familjet në nevojë, jetimët, të moshuarit e të vetmuarit. Uroj që mesazhet e solidaritetit nga ky Muaj i Shenjtë të vazhdojnë edhe më tej të plotësojnë kërkesat e qytetarëve tanë për më shumë mundësi, paqe, solidaritet e drejtësi sociale.

Historia e shqiptarëve është një histori mbijetese, qëndrese dhe lufte për liri dhe identitet. Në këtë përpjekje të përbashkët myslimanët e të krishterët shqiptarë janë ndodhur në krah të njeri tjetrit në të gjithë sfidat për pavarësi, emancipim dhe dinjitet shoqëror. Përkulem me nderim të veçantë për kontributin e vetëmohimin e tyre në Rilindjen Kombëtare, Kryengritjet e mëdha të Pavarësisë, qëndresën ndaj diktaturës si dhe në çdo betejë të tyre për lirinë e fesë dhe ndërgjegjes. Toleranca tek shqiptarët është jo vetëm fetare dhe gjuhësore, por edhe një tipar i sjelljes ndaj popujve të tjerë

Toleranca dhe harmonia fetare është trashëguar dhe konsoliduar në kohë. Kjo tolerancë e harmoni fetare duhet ruajtur e kultivuar vazhdimisht.

Është detyra jonë të investohemi gjithnjë e më shumë në të ardhmen për harmoninë fetare të vendit tonë.Meta: Modeli shqiptar i harmonisë ndër fetare merr një vlerë të shtuar në sfidën globale mbi nevojën e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës së kulturave dhe qytetërimeve. Shqipëria, një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë e shoqërore, përfshirë edhe bashkësitë fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në BE.  Identiteti ynë kombëtar, fetar e shoqëror është dhe mbetet identitet thellësisht evropian. Besimi te Zoti është frymëzim e forcë e pashtershme shpirtërore që na shtyn t’i përkushtohemi edhe më shumë familjes, atdheut e shoqërisë. Njohja e rikthimi i pronave bashkësive fetare, jo vetëm një detyrim që buron nga Kushtetuta por dhe një kontribut real i mëtejshëm në rimëkëmbjen e institucioneve fetare e forcimin e pavarësisë së tyre. Dua t’ ju siguroj për mbështetjen time në punën dhe lutjet e tuaja për të mirën e qytetarëve dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Nga ky Iftar do të doja t’u përcillja të gjithë besimtarëve shqiptarë, kudo ndodhen, respektin tim të thellë për përkushtimin e tyre ndaj Atdheut e Zotit”, tha kreu i Shtetit, Meta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!