Meta reagon për sulmet kibernetike ndaj mediave online: Të mbështesim gazetarinë e lirë!

schedule10:29 - 28 Janar, 2022

schedule 10:29 - 28 Janar, 2022

Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një konferencë për mediat, përsëriti edhe një herë qëndrimin e mbajtur më herët sa i përket sulmeve kibernetike që ndodhën së fundmi në disa media online.

Kreu i shtetit theksoi se është i detyruar që ta përsërisë edhe një herë qëndrimin e mbajtur nga ai në mbështetje të komunitetit të gazetarëve të pavarur, pas mosreflektimit sipas tij të qëllimshëm nga ana e disa mediave.

Ndërsa i ftoi qytetarët që ta ndjekin më shumë në mediat sociale, Meta lexoi edhe një herë një status të bërë në llogarinë e tij në Facebook.

“Solidarizohem me shqetësimin serioz të komunitetit të gazetarëve të pavarur, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe dënoj me ashpërsi sulmet kibernetike dhe presionet e gjithëanshme ndaj disa mediave online kritike me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Ky model i neveritshëm i dhunimit të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së medias, që synon vendosjen e tyre nën kontroll nëpërmjet presionit, dhunës e shantazhit, në shkelje flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe Konventave ku aderon vendi ynë, meriton nga drejtësia një përgjigje të qartë dhe të menjëhershme ligjore.

Duke sjellë në vëmendje regresin vit pas viti të Shqipërisë në raport me lirinë e medias, pa garantimin e së cilës nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, i ftoj organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve të mbështesin kolegët e pavarur dhe kurajozë shqiptarë, të cilët si gjithmonë do të më kenë në krah në përpjekjet e përbashkëta për demokratizimin dhe europianizimin e plotë të vendit.

Dhunimi në rritje i lirisë së mediave ka ndihmuar në rritjen dramatike të korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Të gjithë të bashkohemi për lirinë e medias dhe të refuzojmë orkestruesit e dhunës dhe censurës!”

Kujtojmë se pas publikimit të një audio-përgjimi të bërë gjatë një mbledhjeje të anëtarëve të Shoqatës Rajonale Tiranë të drejtuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, disa media online raportuan se kishin rënë pre e një sulmi kibernetik.

Ndërsa komentonte këtë zhvillim, kreu i shtetit u shpreh se dhunimi në rritje i lirisë së medias ka ndihmuar në rritje dramatike të korrupsionit dhe të kapjes së shtetit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!