I është kundërpërgjigjur presidenti Ilir Meta deklaratave të homologut të tij grek Prokopis Pavlopulos i cili e konsideron të pakuptimtë shtrimin e çështjes çame nga Shqipëria në kohën kur kërkohet perspektiva evropiane.
“Këto deklarata nuk janë në sintoni me mesazhet dhe angazhimet publike të kohëve të fundit të Ministrave të Jashtëm Bushati dhe Kotzias për të çliruar energji të reja pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke trajtuar me vetëpërmbajtje dhe konstruktivitet pengesa të së kaluarës”.
Spektri i bashkëpunimit midis dy vendeve është i gjithanshëm dhe me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për vendet tona por mbi të gjitha për popujt dhe njerëzit tanë është shprehur kreu i shtetit në një intervistë për albanian daily neës.
“Natyrisht mund të ketë edhe çështje të caktuara për të cilat mund të ndajmë qëndrime të ndryshme por kjo nuk do të thotë të humbasim qetësinë në komunikimin me njëri-tjetrin dhe as, për këtë, arsye të cenojmë, bashkëpunimin e gjithanshme dhe jetik për të dy vendet dhe popujt tanë”.
Për presidentin Ilir Meta partneriteti nuk është thjesht një koncept dhe një dokument por ne radhë të parë është një mënyrë komunikimi bazuar edhe në respektin reciprok.
Duke folur gjatë një takimi që zhvilloi në bazën ushtarake të Larisës, Presidenti grek Prokopis Pavlopulos kërcënoi se shtrimi për diskutim i ‘çështjes çame’ në negociatat me Greqinë, mund të rrezikojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për presidentin grek, çështja çame nuk ekziston, ndërsa qëndrimi i qeverisë shqiptare për këtë çështje, sipas tij është i papranueshëm./abcnews.al