Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur mesazhin sensibilizues për mbrojtjen e Lumit të Vjosa të vendosur në mes të sheshit “Nënë Tereza”. Meta shkruan me anë të një statusi në rrjetet sociale se qeveria në detyrë duhet të dëgjojë zërin e tyre për të tërhequr urgjentisht çdo projekt arbitrar që shkatërron këtë pasuri.
“Me shumë kënaqësi mbështeta sot nismën e mrekullueshme të aktivistëve mjedisorë për përgatitjen e një mesazhi sensibilizues ndërkombëtar për mbrojtjen e Vjosës nga çdo projekt shkatërrimtar dhe krijimin e Parkut Kombëtar përgjatë gjithë lumit duke përfshirë edhe degët e tij.
I përgëzova për mesazhin e mençur të vendosur në Sheshin kryesor të Tiranës “Nënë Tereza”, që shumë shpejt do të shfaqet edhe në shumë kryeqytete të Europës. Mirënjohje të gjithë aktivistëve, akademikëve e shkencëtarëve vendas dhe të huaj, 36 organizatave mjedisore, autoriteteve të BE, si dhe aktorit të jashtëzakonshëm Leonardo DiCaprio, për ndërkombëtarizimin e kësaj kauze.
Qeveria ende në detyrë të dëgjojë zërin me shumë integritet të tyre dhe të komunitetit për t’u tërhequr urgjentisht nga çdo projekt arbitrar, që shkatërron këtë pasuri e trashëgimi natyrore kombëtare dhe europiane. Ne, gjenerata e sotme, kemi detyrimin për të mbrojtur burimet dhe pasuritë tona natyrore, për të gjithë brezat e ardhshëm. E DUAM VJOSËN DHE DO TA MBROJMË!”, shkruan Meta./mv.abcnews.al