Presidenti Ilir Meta ishte sot në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, ku falenderoi komandantët e ushtarët e Kosovës për ndihmën e vyer që dhanë në operacionin e kërkimit-shpëtimit. Meta shpërndau dekoratën e Artë të Shqiponjës për pjesëtarët e FSK-së. Nuk mungoi as dekorata për qenin që ishte pjesë e ekipit të kërkim-shpëtimit, të cilin Presidenti e puthi. Qeni me emrin “Satak” i njësisë speciale të Kosovës, arriti të lokalizojë një person që u nxor i gjallë nga rrënojat në Thumane, ndërsa arriti të lokalizonte edhe 2 trupat e pajetë të çiftit Greku dhe një pjesëtar të pajetë të familjes Cara.
Meta, ka falënderuar pjesëtarët e FSK-së, policisë dhe ekipe të tjera nga Kosova që ndihmuan Shqipërinë në ngjarjen e rëndë të 26 Nëntorit, ku termeti shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur.
“Kosova duhet të jetë krenare për FSK-në dhe Policinë e saj. Çdokush do të ishte krenar për atë që keni bërë te ne. Me qëllimin e vetëm për të shpëtuar jetë njerëzish. Ju shpëtuar shumë jetë, ndihmuat shumë banorë. Na u gjetët pranë në kohërat më të vështira. Iu shprehim mirënjohjen më të thellë për këtë solidaritet shembullor. Me këtë ndihmë ju na dhatë forcë edhe ne të gjithëve. Unë shpreh mirënjohje për gjithë popullin e Kosovës”, ka thënë presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e ka falenderuar presidentin shqiptar për ndarjen e këtyre dekoratave.