Meta pret ambasadorin Egjiptit me rastin e përfundimit të mandatit në Shqipëri

schedule18:13 - 31 Korrik, 2020

schedule 18:13 - 31 Korrik, 2020

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit Mohamed Khalil, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri.

Duke e falenderuar Ambasadorin Khalil për punën e tij, kreu i Shtetit theksoi se ka ende potenciale të pashfrytëzuara për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

“Me Egjiptin kemi lidhje të veçanta historike e tradicionale dhe ne jemi krenarë për rolin e pazëvendësueshëm në formimin e shtetit të Egjiptit të shqiptarit të famshëm Mehmet Ali Pasha, si edhe për veprimtarinë e kontributin e patriotëve dhe atdhetarëve tanë të shquar të cilët krijuan në Egjipt vatrat e para të lëvizjes kombëtare shqiptare. 

Shqipëria e konsideron Egjiptin një partner shumë të rëndësishëm në rajonin e Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme, si dhe i kushton një rëndësi të madhe zgjerimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes reciprok.

Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse e produkteve dhe investimeve egjiptiane drejt Ballkanit, dhe në këtë aspekt forcimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona është i mirëpritur”, u shpreh Presidenti Meta./abcnews.al