Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën e zgjedhjeve në universitetet publike. Kreu i Shtetit kërkon që ky proces i ri zgjedhor duhet të mishërojë parimet kushtetuese.
Meta ka vënë theksin se është shumë i rëndësishëm angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve dhe institucioneve që kanë përgjegjësi në këtë proces.
“Lidhur me situatën e zgjedhjeve në universitet publike, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, thekson se ky është një proces tejet i rëndësishëm për të rinovuar autoritetet e reja dhe organet drejtuese të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Ky proces i ri zgjedhor duhet të mishërojë parimet kushtetuese, të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore dhe të jetë transparent e gjithëpërfshirës.
Ndaj, në kushtet specifike në të cilat ndodhemi, është shumë i rëndësishëm angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve dhe institucioneve që kanë përgjegjësi në këtë proces. Është detyrë e tyre të harmonizojnë të gjitha veprimet dhe aktet rregullatorë, në mënyrë që ky proces i ri zgjedhor të garantojë pavarësinë, autonominë, konkurrencën e lirë, transparencën dhe integritetin për të arritur një rezultat të gjithëpranuar dhe për të përmbushur objektivat e Arsimit të Lartë në Shqipëri”, thhuhet në deklaratën e Presidencës. /abcnews.al