Meta për Dvoranin: E turpshme, bën lojëra mafioze dhe të dyshimta!

schedule20:49 - 13 Nëntor, 2019

schedule 20:49 - 13 Nëntor, 2019

Presidenti Ilir Meta gjatë mbrëmjes së sotme, në konferencën e tij për shtyp, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetareve.

I pyetur se, nëse ishte e rëndësishme data apo afati i përcaktuar në kushtetutë, prej 30 ditësh, pas vendimit të vetë Metës që të “ngrijë” procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për në gjykatën kushtetuese,  Meta theksoi se në Kushtetutë nuk ka një afat të caktuar për Presidentin e Republikës, aq më tepër tha ai kur bëhet fjalë për krijimin e gjykatës kushtetuese.

“Duhet të kemi të qartë të gjithë që nuk ka një afat të caktuar për Presidentin e Republikës. Nuk kemi një afat të përcaktuar në Kushtetutë për Presidentin. Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Për herë të parë krijohet gjykata kushtetuese sipas kushteve të reformës në drejtësi. Çdo akt në këtë proces i Presidentit, Parlamentit,  dhe i gjithë institucioneve, është historik sepse do të ngelet një referencë në të ardhmen. Çdo veprim i Presidentit aktual do të mbetet si referencë për presidentët e ardhshëm. Duhet të kemi të qartë që Komisioni i Emërimeve në Drejtësi është një institucion që merret vetëm me menaxhimin administrativ, për të garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit për krijimin e gjykatës kushtetuese, asgjë tjetër. Kushtetuta tregon qartë se si krijohet gjykata kushtetuese. Kushtetuta e thotë qartë që presidenti ka të drejtën të zgjedhë i pari vakancën e parë, pastaj është parlamenti dhe në këtë mënyrë përsëritet e njëjta renditje. Është detyra e KED që të rregullojë listat e kritereve dhe të afateve në respekt të ligjit. KED është institucion kolegjial dhe merr vendime kolegjiale, dhe jo që Kryetari i KED të bëj lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën se si i dërgon listat në mënyrë të atillë, tepër të dyshimtë, për të mos thënë mafioze, që të vendosë Presidentin në pozitën që, o të shkeli detyrimisht kushtetutën e Shqipërisë, o të bëhen interpretime qesharake, si ai që Presidentit i ka mbaruar afati. Kjo është e turpshme, skandaloze dhe mafioze“, tha Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!