Meta për arsimin e lartë: Zbatimi i ligjit vështirësi për autonominë e universiteteve

schedule17:15 - 12 Prill, 2019

schedule 17:15 - 12 Prill, 2019

Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë ndesh vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të universiteteve publike. Deklarata vjen nga Presidenti i Republikës Ilir Meta sipas të cilit edhe  vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar.

Tonin kritik nuk e ka kursyer Presidenti i Republikës as për ligjin e arsimit të lartë. Nga auditoret e një universiteti privat, kryetari i shtetit tha se problemet zbatimin e këtij ligji dolën pas protestave të studentëve.

“Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë, vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të universiteteve publike. Reforma në Arsimin e Lartë dhe kërkimi shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse dhe duhet të synojë krijimin e kushteve të duhura për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Reforma në Arsimin e Lartë duhet të synojë që universitetet të jenë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga politika”.

Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë pritet të miratohet karta e studentit, megjithatë për presidentin Meta kjo nuk e justifikon vonesën në pajisjen e studentëve.

“Vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar dhe mbetet detyrim imediat për t’u garantuar studentëve të drejtave që burojnë prej saj ashtu si të studentëve të tjerë në vendet e rajonit dhe të Europës”.

Presidenti i Republikës e sheh të domosdoshme krijimin e një klime të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, në mjediset universitare e shoqërore dhe politike. /abcnews.al