Meta “nuk pushon”, i kthen Kuvendit 5 ligje

schedule15:31 - 10 Gusht, 2019

schedule 15:31 - 10 Gusht, 2019

Gushti është muaj pushimesh edhe për politikën, por jo për Institucionin e Presidencës. Vetë Ilir Meta ka ikur me pushime në 1 gusht dhe ka ndarë me publikun video nga aventurat e tij malore, por ndërkohë ka firmosur brenda 10 ditëve, kthimin e 5 ligjeve në Kuvend. Në total, qysh nga koha kur ka marrë detyrën në 2017-ën, Ilir Meta ka kthyer pas 19 ligje.

Në 1 Gusht Ilir Meta doli përpara gazetarëve për të bërë apel për zgjidhjen e krizës, si thirrja e fundit përpara pushimeve.

Pas kësaj dite, Presidenti i Republikës nisi eksplorimin e natyrës malore, duke ndarë me ndjekësit e tij thuajse çdo ditë një pjesë të aktivitetit të tij.

Por në Presidencë nuk pushohej, edhe pse shefi ishte larg kryeqytetit. Stafi i kreu të shtetit, gjatë 10 ditëve të para të këtij muaji, shqyrtoi të gjitha ligjet që prisnin firmën e Presidentit, dhe i riktheu Kuvendit pas 5 ligje me rëndësi.

Relacionet përgatitura në paradhomën e Metës u dërguan për firmë aty ku po pushonte presidenti.

Kështu, në 6 Gusht u kthyen pas ndryshimet në Kodin Penal, ndërsa një ditë më pas ndryshimet në ligjin për koncesionet.

Në 8 gusht u kthye për rishqyrtim kontrata e koncesionit për rrugën Milot–Balldren, dhe një ditë më pas, kontratat PPP për rrugën Orikum-Dukat. Në 9 gusht, Ilir Meta firmosi aktin e fundit mbi tryezë, duke kthyer edhe ligjin për Akademinë e Shkencave.

Përgjatë periudhës korrik 2017 kur mori detyrën dhe deri në 10 gusht 2019, Ilir Meta  ka miratuar me dekret 158 ligje, dhe ka kthyer për rishqyrtim 19 të tjera. Presidenti ka vendosur të lërë në heshtje 16  ligje.

Vihet re se nga 19 ligje në total që Presidenti ka rikthyer në Kuvend, 11 i takojnë periudhës janar-gusht 2019, kohë kur marrëdhëniet e Ilir Metës me Edi Ramën nuk kanë qenë aspak të qeta./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!