Meta: Nuk duhet të ndryshojë realiteti Kosovë-Serbi

schedule12:14 - 29 Gusht, 2018

schedule 12:14 - 29 Gusht, 2018

Kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, ka dalë kundër idesë së hedhur së fundmi për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas presidentit Meta, realiteti mes dy vendeve duhet pranuar dhe nuk duhet ndryshuar, pasi çdo devijim mund të sjellë retorika e emocione të padobishme.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta kundërshton idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për “Albanian Daily News” kreu i shtetit thekson se dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të realitetit, në emër të paqes e stabilitetit”,

“Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi për asnjërin nga vendet”, theksoi Meta.

Thotë mes të tjerave kreu i shtetit i cili mbështet qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë në përkrahje të përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për ruajtjen e stabilitetit, integritetit territorial, karakterit multietnik të shtetit të Kosovës.

Sipas Metës, Shqipëria ka qenë dhe mbetet mbështetëse e fortë e dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE e mbështetur nga SHBA. Kreu i shtetit shqiptar ne intervistën e dhënë thekson gjithashtu se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës tashmë është realitet i njohur në botë dhe i pranuar nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB-së.

“Rëndësi te veçantë ka respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE për sigurinë në Europë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve”, thekson në këtë intervistë Meta, sipas të cilit procesi i integrimit të rajonit në BE po shkon drejt bërjes të parëndësishëm të kufijve dhe jo drejt imponimit të kufijve të rinj.

Sipas presidentit shqiptar, marrëveshja mes dy vendeve duhet të ndihmojë frymën e bashkëjetesës, harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara e serbëve dhe shqiptarëve.

“Është jetike të mos rikthehen më kurrë pamje të shpërnguljes ose lëvizjes me dhunë të familjeve, qofshin këto serbe apo shqiptare. Asnjë familje e vetme nuk duhet të mendojë shpërnguljen për shkak të pasigurisë që sjell debati i ndryshimit të kufijve”, thekson Meta.

Gjatë po të njëjtës intervistë, Meta ka dhënë dhe vlerësimin e tij në lidhje me arritjen e marrëveshjes për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, të cilën e ka vlerësuar si një hap që ndikon drejtpërdrejt në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë.

Njëherësh ai i ka bëre thirrje dhe të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e datës 30 Shtator dhe të votojnë pro marrëveshjes, për të çelur një kapitull të ri jo vetëm në dobi të integrimit të Maqedonisë, por edhe në të mirë të ardhmes së tyre në këtë vend./abcnews.al