Meta nga Vlora: Shqipëria fiton vetëm duke shkëlqyer sot, jemi njohur si vend problematik për zgjedhjet

schedule18:18 - 25 Prill, 2021

schedule 18:18 - 25 Prill, 2021

Mesazhin e fundit për pjesëmarrje në zgjedhje, presidenti Ilir Meta zgjodhi ta japë nga qyteti bregdetar i Vlorës, ku tha se ka besim se do të thotë fjalën e saj në momentin më historik për vendin. Meta deklaroi se Shqipëria është njohur si vend problematik sa i takon standardit të zgjedhjeve dhe kjo sipas tij e ka bërë të mbetet pas vendeve të tjera në rajon për procesin e çeljes së negociatave.

Kreu i Shtetit shtoi se Shqipëria fiton vetëm duke shkëlqyer sot duke përsëritur apelin për policinë dhe prokurorinë për hetimeve e krimeve zgjedhore që mund të kenë cenuar këtë proces deri më sot. Meta theksoi se minutat e fundit duhen shfrytëzuar për t’iu drejtuar kutive të votimit pasi ai që nuk merr pjesë në zgjedhje nuk ka të drejtë nesër t’i kërkojë llogari qeverisë që do të drejtojë në katër vitet e ardhshme.

“Kishim lënë këtë takim prej ditësh dhe do vazhdojmë të jemi këtu dhe kudo tjetër ku të jetë e nevojshme nga ky vend i shenjtë, nga Vlora e të gjithë Shqiptarëve. Ka vetëm një mesazh për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje që të tregojnë se e kemi kuptuar rëndësinë e votës sonë. Për të ndërtuar një të ardhme të sigurt në Vlorë. Jemi njohur si vend problematik për standardin e zgjedhjeve ndaj është e domosdoshme që ecuria fantastike e ditës së sotme të jetë kështu deri në fund. I ftoj qytetarët të kryejnë misionin dhe të mos harrojnë që për votën e lirë, shumë shqiptarë kanë vuajtur. Kjo mundësi është një domosdoshmëri për të ardhmen e Vlorës dhe Shqipërisë. Besoj që pjesëmarrja e lartë në të gjithë vendin do të vijojë dhe këtu në Vlorë, pavarësisht nga vështirësitë që kanë pasur emigrantët. Ata që vuanin nga pandemia.

Vlora i ka të gjitha mundësitë të vazhdojë të japë kontributin e saj në momente historike të vendit. Qytetarët të shkojnë në mënyrë qytetare dhe të tregojnë bashkëjetesë demokratike. Në fund të këtij procesi duhet të fitojë patjetër Shqipëria. Europa dhe gjithë shqiptarët në botë i kanë sytë te Shqipëria sot. Të nisim një epokë të re në Shqipëri, të shenjtërimit të votës. Nuk mundet një qytetar nesër nëse mungon t’i kërkojë llogari parlamentit, qeverisë që do të krijohet apo presidentit të ri që do të zgjidhet nga ky parlament. Vlora ka qenë, është dhe do të jetë edhe më shumë Vlora me të cilën krenohen shqiptarët. Do të jetë Vlora që në një moment historik do të thotë fjalën e saj. Unë kam shumë besim te Vlora. Unë jam këtu për rëndësinë që ka integriteti i këtij procesi në të gjithë vendin.

Të gjithë duhet të jenë pjesë e kësaj dite historike. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja unë jam edhe më shumë optimist, aq më shumë do të shtohen shanset për të çelur negociata. Jemi një popull që kemi reflektuar. Apeloj që policia dhe prokuroria të hetojë çdo krim zgjedhor që mund të ketë ndodhur deri më tani. Për mua është e rëndësishme të fitojë Shqipëria. I ftoj shqiptarët të jenë pjesë e këtij qëllimi madhor. Shqipëria fiton vetëm duke shkëlqyer sot. Ne prej zgjedhjeve kemi mbetur kaq pas Serbisë dhe Malit të Zi që i kanë çelur negociatat. Vetëm pjesëmarrja e madhe do të na bëjë të mundur ta çelim rrugën tonë drejt Europës dhe të fitojmë edhe kohën e humbur. Ne kemi qenë para tyre. Ne jemi një popull 100% europian”, tha Meta./mv.abcnews.al