Meta në Sarandë në kuadër të dhurimin të gjakut: Të nxisim solidaritetin me këtë kauzë humane

schedule13:10 - 14 Shkurt, 2021

schedule 13:10 - 14 Shkurt, 2021

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm  në seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut, që u mbajt pranë Qendrës së Kujdesit për Moshën e Tretë në Sarandë.

Së bashku me qytetarë e të rinj sarandiotë, kauzës fisnike, ju bashkuan vullnetarisht edhe shtetas të huaj, të cilët jetojnë në Sarandë dhe që dhanë kontributin e tyre human në ndihmë të fëmijëve talasemikë e të sëmurëve kronikë.

Kreu i Shtetit në një prononcim për mediat bën me dije se ky akt është një shprehje mirënjohje edhe për mikpritjen shqiptare dhe sarandjote që ata, kanë gjetur.

“Është një kënaqësi e veçantë për t’u rikthyer në Sarandë në shërbim të një kauze shumë humane, siç është dhurimi i gjakut, që bëhet edhe më fisnike, në kushtet e pandemisë.

Është kënaqësi të shoh shumë qytetarë të huaj, që jetojnë në Sarandë, të cilët vullnetarisht i janë bashkuar “Aleancës për dhurimin e gjakut”, duke  kontribuar me solidaritetin e tyre,  në ndihmë të fëmijëve që vuajnë nga talasemia dhe të sëmurëve kronikë.

Ky akt është një shprehje mirënjohje edhe për mikpritjen shqiptare dhe sarandjote që ata, kanë gjetur.

Dhurimet e gjakut në këtë periudhë, janë shumë të rëndësishme, veçanërisht për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, që ka sjellë një ulje drastike të numrit të dhuruesve.

Kënaqësi të takoja shumë qytetarë nga  Shtetet e Bashkuara, Australia, Zelanda e Re dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kjo është shumë pozitive, sepse tashmë ekziston një komunitet i tillë në Sarandë dhe kjo është e natyrshme, për faktin se Saranda tashmë është një markë e njohur  për të gjithë turistët e huaj.

Ne shpresojmë, që të ritakohemi në kohë më të mira dhe pa pandemi,  me një mot shumë  më të mirë, pasi Saranda i ka të gjitha potencialet për të mirëpritur me dinjitet turistët vendas dhe të huaj.

Për shkak se Covid-19 solli vështirësi të mëdha për sistemin tonë shëndetësor, falenderoj, të gjithë qytetarët, të rinjtë e të reja, që me vullnetarizëm i japën përgjigjur thirrjes tonë për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë”, ka thënë Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!