Meta në ceremoninë e Ujit të Bekuar në Berat, 21-vjeçari kap kryqin në Osum

schedule10:20 - 6 Janar, 2021

schedule 10:20 - 6 Janar, 2021

Edhe pse në kohë pandemie,qytetarët beratas kanë mbushur sot dy brigjet e lumit Osum, për tu bërë pjesë e ceremonisë së hedhjes së kryqit. Ceremonia e hedhjes së kryqit u mbajt nga prifti Johan Qako,që pas ritialit fetar hodhi kryqin e bekuar në lumë.

Kryqi u kap nga 21-vjeçari Daniel Lirza,i cili me kryqin në dorë depërtoi në mes të turmës. Sipas traditës,21-vjeçari troket derë më derë në portat e banesave të lagjeve: “Mangalem”, “Goricë” e “Kala” si dhe në lagjet e tjera beratase, ku “dorovitet” nga banorët.

Dita e Ujit të Bekuar ka mbledhur besimtarët ortodoksë në Berat, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti Ilir Meta.

Ndërkohë në Durrës, Kisha Ortodokse vendosi që ceremonia e hedhjes së kryqit të mos zhvillohet këtë vit për shkak të pandemisë. Po ashtu edhe në Fier u mbajt këtë vit vetën mesha, për shkak të rregullave të pandemisë, ku nuk lejohet grumbullimi i qytetarëve.  Gjithashtu, në Korçë ndryshe nga çdo vit tjetër, këtë 6 janar nuk u organizua hedhja e kryqit, por u mbajt vetëm mesha në kishë.

Besimtarët ortodoksë festojnë sot Ditën e ujit të Bekuar, ose e njohur ndryshe si “Theofania”.Kjo ditë personifikon pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan, nga Gjon Pagëzor. Festa kremtohet duke hedhur kryqin në ujra të rrjedhshëm, kryesisht në lumenj apo liqene.

Lexo edhe: Kisha Ortodokse në Durrës ndalon hedhjen e kryqit në ujë, shkak pandemia

Kjo festë është shprehja e faktit më qendror të vizionit të krishterë për njeriun si dhe për jetën e botën e tij. Shenjtërimi i ujit vërtetohet sot nga të krishterët, të cilët në çdo 6 janar mbushin ujë të bekuar, i cili qëndron i freskët deri në 6 janarin e vitit tjetër. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!