Meta në 101-vjetorin e Kongresit të Lushnjes: Nderim burrave, që hodhën themelet e shtetit

schedule13:16 - 21 Janar, 2021

schedule 13:16 - 21 Janar, 2021

Në 101-vjetorin e Kongresit të Lushnjes presidenti Ilir Meta ka nderuar kujtimin e atyre që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, të pavarur dhe sovran.

Meta shprehet se vetëm disa ditë iu deshën disa burrave të ndritur të kombit që të bashkuar në Kongresin e Lushnjes të garantonin pavdekshmërinë e shtetit dhe të ndërtonin një parlament dinjitoz.

“Uniteti rreth çështjes kombëtare, mblodhi 101 vjet më parë në Lushnjë, apostujt e shqiptarisë, për të marrë vendimet më të rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe rimëkëmbjes së shtetit modern shqiptar.

Vetëm disa ditë iu deshën burrave të ndritur të kombit, që të bashkuar në Kongresin e Lushnjës, të garantonin pavdekshmërinë e shtetit, të ndërtonin një Parlament dinjitoz e të ligjshëm, të nxirrnin akte kushtetuese efikase, të zgjidhnin një Qeveri të përgjegjshme, të vendosnin ligjin në të gjithë territorin dhe të prezantonin me dinjitet Shqipërinë përpara botës.

Nëse nuk do të ishte ky Kongres, edhe Pavarësia e Shqipërisë do të ishte venitur.

Nderim përjetë burrave të kombit, që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, të pavarur dhe sovran, vepra e të cilëve u përjetësua në vargjet përherë aktuale:

“Atdheu ty po të thërret,

Ta shpëtosh ti nga kjo natë.

Sikur tym e flakë të dal nga faqe e dheut,

Shkrepëtim të bjerë e flakë,

Bëj detyrën që ke kundrejt Atdheut,

Mos kurse as shpirt as gjak.”, shkruan Meta./mv.abcnews.al