Ligji për marrjen e eurobondit prej 650 milion eurosh hyn në fuqi menjëherë.Presidenti Ilir Meta ka ndryshuar qëndrim vetëm një ditë më pas duke aprovuar kërkesën e kuvendit .Burime nga presidenca bëjnë me dije presidenti ka dhënë pëlqimin për këtë projektligj pasi i janë vënë në dispozicion të gjitha shpjegimet dhe dokumentet e kërkuara për eurobondin. Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi pas votimit ka pranuar se në Kuvend ka mbërritur edhe shkresa e presidentit.
“Sapo ka mbërritur pëlqimi i Presidentit. Ka dhënë pëlqimin për hyrjen në fuqi të ligjit”, tha Ruçi.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka shpjeguar urgjencën për të marrë sa më parë këtë eurobond me faktin e interesave të favorshme.
“Javën e kaluar Maqedonia e Veriut doli në eurobond, i cili u vlerësua i suksesshëm, ku interesi i investitorëve ishte më tepër se 4 herë në raport me vlerën e synuar. Ky emetim na jep një sinjal që tregjet financiare janë në një fazë stabiliteti”, tha Denaj.
Shqipëria do të marrë një borxh prej 650 milion eurosh në tregjet ndërkombëtare financiare ndërsa koha e maturimit parashikohet të jetë 7 deri në 10 vite. /abcnews.al