Meta: Mbështes miratimin e Rezolutës nga Kosova për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

schedule19:58 - 7 Korrik, 2021

schedule 19:58 - 7 Korrik, 2021

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë.

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka përshëndetur këtë vendim të miratuar, ndërsa shton se vetëm duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe bashkëjetesën etnike e fetare do të konsolidohet paqja, stabiliteti dhe siguria në rajon.

Lexo edhe: Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

“E përshëndes miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të Rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, masakrës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, që ndodhi 26 vite më parë, në zemër të Europës dhe që kurrsesi nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte.

Lexo edhe: Kurti: Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë veprimi i duhur, ndodhi masakra më e madhe në kontinent

Duke e përkrahur këtë Rezolutë, i bashkohem pikëllimit të thellë për viktimat e pafajshme dhe nderimit të kujtimit të tyre, dënimit të çdo përpjekje për mohimin e këtij gjenocidi dhe e përqafoj thirrjen për të bërë çdo përpjekje, që përgjegjësit e kësaj masakre të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.

Vetëm duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe bashkëjetesën etnike e fetare do të konsolidojmë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe do të ecim përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Europian”, thotë Meta.

Rezoluta e miratuar ditën e sotme i iniciua nga koalicioni boshnjak në Kuvendin e Kosovës. Për miratimin e kësaj Rezolute votuan 89 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.

Maqedonia e Veriut ka miratuar rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në vitin 2010.

Ndërsa Shqipëria deri më tani nuk ka miratuar ndonjë rezolutë të ngjashme./abcnews.al/