Meta letër Ruçit për Gjykatën Kushtetuese: KED cënoi luajalitetin kushtetutes

schedule15:00 - 10 Nëntor, 2019

schedule 15:00 - 10 Nëntor, 2019

Në kohën kur maxhoranca e cilëson të konsumuar kohën e Presidentit të Republikës për tu shprehur për anëtarin e radhës në Gjykatën Kushtetuese dhe ka botuar në fletoren zyrtare renditjen e KED-së, kreu i shtetit i është drejtuar me një letër kryeparlamentarit Gramoz Rucci. Në letrën e tij, të cilën Meta fton edhe deputetët e Kuvendit ta lexojnë, Presidenti sqaron se për ngërçin e krijuar është përgjegjës Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta është i bindur se me vendimin për mos propozuar emrin e rradhës për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese i është përmbajtur vetëm ligjit dhe kushtetutës. Përmes një letre të gjatë të drejtuar kryeparlamentarit Ruçi, kreut të KED-së, Ardian DVORANI dhe avokates së Popullit,  Erinda BALLANCA, kreu i shtetit i ka bërë një skaner të gjithë procesit të përzgjedhjes së kandidadurave për Gjykatën Kushtetuese, duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë nga Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë për situatën e krijuar.

“Fakti që të njëjtët aplikantë gjenden edhe në listën e Kuvendit, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, një përzgjedhje e mundshme e Presidentit, pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta përcakton, mund të sillte/sjellë teorikisht, deri edhe në vendosjen e Kuvendit në kushtet e pamundësisë praktike për të pasur numrin e nevojshëm të kandidatëve për zgjedhur anëtarët që i takojnë”.

Sipas kreut të shtetit KED me dërgimin e listave në të njëjtën ditë në Presidencë ka cënuar institucionin e drejtuar prej tij.

“Me procedurën fundore administrative të dërgimit të listave që ka ndjekur Kryetari i KED-së duket hapur se ky organ ka cenuar parimin e luajalitetit kushtetues, pasi në veprimtarinë administrative të tij nuk ka treguar kujdes e bashkëpunim me Institucionin e Presidentit të Republikës në procedurat e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Duke anashkaluar dhe mosvlerësuar thellësisht faktin se çfarë efekti do të prodhonte veprimtaria e tij administrative në ushtrimin e kompetencave nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka vendosur organet në një vështirësi për të ushtruar kompetencat sipas rregullit kushtetues”.

Thirrjen e tij të fundit, Presidenti Meta e ka për ligjvënesit që do të votojnë këtë të hënë për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve përpara se të shprehin përgjegjësinë e tyre me votë i sygjeron të lexojnë rrugën ligjore përmes së cilës duhet të kalojë procesi. /abcnews.al