Meta kthen për shqyrtim në Kuvend ligjin “Për të huajt”

schedule11:26 - 3 Gusht, 2021

schedule 11:26 - 3 Gusht, 2021

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin “Për të huajt”.

Ndërsa ka renditur arsyet e kthimit të këtij ligji, Meta bën me dije se qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër , ndërsa thekson se shpopullimi është drama më e madhe që po i ndodh vendit.

Meta shprehet se Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta, duke shtuar se fluksi i të huajve nga vendet e treta është përtej mundësive dhe kapaciteteve që Shqipëria mund të përballojë.

Arsyet e kthimit të ligjit: 

Ligji, në parashikimet mbi mundësitë e dhënies së lejeve të punësimit për të huajt, nuk përmban asnjë përcaktim qoftë dhe orientues mbi rrethanat, kriteret dhe parimet që duhet të ndjekë Këshilli i Ministrave për një vendimmarrje të tillë, apo dhe për përcaktimin e kuotave vjetore për punësimin e të huajve, sipas nenit 78, të ligjit.

Ky ligj, pa pasur në konsideratë kërkesat e nenit 118, të Kushtetutës, dhe faktin se çështja e trajtimit të të huajve duhet adresuar mbështetur në një Strategji Kombëtare, të hartuar dhe miratuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, lë një hapësirë të gjerë vendimmarrëse për Këshillin e Ministrave, për një çështje që lidhet me një interes më të lartë kombëtar.

Nëse ligji nr. 79/2021, do të hyjë në fuqi dhe do të aplikohet sipas dispozitave të miratuara, Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta, edhe përtej fushës së rregullimit të këtij ligji, përtej mundësive, kapaciteteve që Shqipëria ka, apo mund të ofrojë,dhe mund të përballojë.

Kjo situatë kërkon vlerësim të thelluar, pasi mund të ndodhemi përpara rastit kur Shqipëria, të vuajë njëkohësisht si nga braktisja e vendit nga shtetasit shqiptarë, por dhe pamundësia për të përballuar kërkesat e paraqitura nisur nga pritshmëria legjitime e kërkuesve që do t`i mbështesin kërkimet e tyre tek ky ligj dhe kriteret e tij jo mirë të përcaktuara dhe në mënyrë shproporcionale me gjendjen reale ekonomike dhe sociale të vendit.

Kjo do ta rëndonte akoma edhe më shumë situatën në të cilën ndodhet vendi.

Prandaj zgjidhje të këtilla kërkojnë maturi, diskutim gjithëpërfshirës, dhe konsensus të gjerë të përfaqësuesve realë të sovranit, që për fat të keq ky Kuvend, të cilit i ka përfunduar mandati dhe e drejta për të miratuar ligje, nuk ka as legjitimitetin e duhur për të vendosur e dakordësuar çështje të një rëndësie kaq të madhe.

-Përpos sa më sipër, vlerësoj se një ligj i ri për të huajt, që reflekton përputhshmëri sa më të plotë me Direktivat e zbatueshme për këtë çështje, është më se i mirëpritur. Megjithatë, çdo nismë ligjore, duhet të ndërmerret duke vlerësuar paraprakisht nevojën për adresimin e problematikave konkrete me të cilat përballet shoqëria shqiptare në një moment të caktuar.

Në rastin konkret, një ligj i ri, që në vend qetë përcaktojë rregulla të zbatueshme konform legjislacionit dhe standardeve europiane, , duke lënë hapësirë për t`i “përfaruar plotësisht procedurën me akte nënligjore”, siç referohet vazhdimisht në Tabelën e Përputhshmërisë që shoqëron projektligjin, nuk është qasje aspak korrekte jo vetëm në kuadër të angazhimeve që ka Shqipëria drejt rrugëtimi europian, por as në raport me zgjidhjet ligjore që i nevojiten për adresimin e problematikave të punësimit dhe të numrit të lartë të azilkërkuesve shqiptarë dhe braktisjes së vendit, që më së shumti reflekton situatën e vështirë ekonomike me të cilën përballen vet qytetarët shqiptarë.

Në këto kushte, natyrshëm lind pyetja:

Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqenie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë?

Përgjigja në këtë rast del vetiu- ai nivel trajtimi financiar dhe mundësi punësimi që nuk pranohet nga shtetasit e saj, mbetet i pranueshëm vetëm për shtetas të tjerë, që vijnë prej vendeve të treta, të cilët kanë standarde më të ulëta të kërkesave për punë dhe trajtim financiar.

Nëse jemi në këto kushte, masa pranimi kaq gjerësisht të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara, mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen paraprakisht dhe të bëhen publike pasojat që do të sillte një politikë e tillë shtetërore (si ato pozitive dhe negative dhe shtrirja në kohë e tyre).

Këtë analizë duhet ta kishte bërë paraprakisht Këshilli i Ministrave dhe ta vlerësonin me përgjegjësi komisionet përgjegjëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Por asnjë prej këtyre organeve nuk e ka trajtuar këtë çështje në këtë drejtim. Përmes hartimit të raporteve deklarative, këto struktura të ekzekutivit dhe legjislativit, i janë shmangur kësaj çështje që përbën thelbin e problematikës që mund të sjellë zbatimi i këtij ligji.
Nisma të tilla që lidhen me të ardhmen e vendit, dhe që ndikojnë në cilësinë e jetesës së qytetarëve të tij, kur shifrat mbi kërkesat për azil dhe emigrimin e shqiptarëve janë në nivel alarmant, kërkojnë një vendimmarrje me bazë të gjerë, që mund dhe duhet ta garantojë vetëm një Kuvend që përfaqëson realisht vullnetin e popullit.

Shtetasit shqiptarë me të drejtë vote, në datën 25 prill 2021 kanë ushtruar të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Pavarësisht problematikave që ka shfaqur ky proces zgjedhor, ai ka prodhuar një rezultat përmes të cilit në shtator 2021, në Kuvendin e Shqipërisë do të zënë vend deputetët që përfaqësojnë edhe opozitën shqiptare, duke dalë kështu nga një moment shumë kritik i krizës së përfaqësimit dhe të legjitimitetit nga i cili karakterizohej Kuvendi, që pas largimit të opozitës në shkurt 2019.

Në këtë kuptim, shqyrtimi apo miratimi i ligjeve që mbartin një vlerë dhe ndikim të posaçëm si për të drejtat dhe parimet kushtetuese, ashtu edhe për aktivitetin ekonomik, makro dhe mikro, në vendin tonë, në analizë të periudhës në të cilën janë synuar të miratohen, nuk duhet të jenë objekt vlerësimi, shqyrtimi dhe vendimmarrjeje nga institucioni në periudhat fundore të mandatit të tij.

Legjitimiteti buron nga votëbesimi i qytetarëve, të cilët një herë në 4-vjet thirren për të shprehur në liri vullnetin e tyre.

Në kushtet kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë, e kanë shprehur vullnetin e tyre në 25 prill 2021, raporti dhe standardi që duhet të ruhet nga ky Kuvend aktual është posaçërisht ai i lënies për reflektim dhe miratim të projektligjeve me rëndësi, nga ana e deputetëve të rinj të zgjedhur, të cilët do të duhet ta ushtrojnë këtë përfaqësim në katër vitet që vijnë, duke lejuar kështu që qëllimet e synimet e projekteve politike dhe ligjore të vlerësohen pikërisht prej tyre.

Kuvendi i Shqipërisë duhet t`i nisë punimet e tij në Legjislaturën e X, pikërisht me hartimin e një Strategjie Kombëtare me masa konkrete dhe efektive, për të luftuar shpopullimin e vendit, migracionin dhe bashkë me këtë,përmes një dialogu dhe luajaliteti midis forcave politike,dhe gjithë aktorëve të tjerë të shoqërisë, të rishikojë me shumë kujdes edhe një herë ligjin nr. 79/2021, në mënyrë që ky ligj të jetë në harmoni me politikën e shtetit shqiptar.

Për gjithë këto arsye, vlerësoj se në rastin konkret, për sa kohë aktualisht ligji nr. 108/2013 “Për të huajt”, i ndryshuar së fundmi në vitin 2020 është aktualisht në fuqi, rishqyrtimi i ligjit nr.79/2021 në shtator 2021, nuk krijon asnjë vakum ligjor për të huajt, por përkundrazi ndihmon në përcaktimin e një strategjie të mirëfilltë kombëtare për çështjet e migracionit.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Në mbështetje të nenit 92/a, të Kushtetutës, si President i Republikës ju përcjell edhe një herë mesazhet dhe shqetësimet e mia:

Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit.

Raporti i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, bën me dije se Shqipëria kryeson listën e vendeve, që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020, pavarësisht situatës së pandemisë.

Sipas këtyre konkluzioneve, mesatarja e të larguarve në vitin 2020 ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë, një tendencë dukshëm në rritje në krahasim me vitin 2015 kur treguesi ishte rreth 350 emigrantë për 100 mijë banorë.

Ndonëse nën masa kufizuese dhe me kufij pothuajse të mbyllur, shqiptarët me të gjitha mënyrat janë përpjekur të largohen jashtë vendit, duke zënë edhe për vitin 2020 vendin e parë në Europë, për numrin e aplikimeve për azil nga Ballkani dhe vendin e dytë në botë, pas Sirisë, në raport me popullsinë.

Të dhënat e fundit të Zyrës Europiane për Azilin (EASO) bëjnë të ditur se, vitin e kaluar nga Shqipëria ka pasur 6558 aplikime, nga Serbia 2605, nga Kosova 2114, nga Bosnje dhe Hercegovina 1329, nga Maqedonia e Veriu 1230 dhe nga Mali i Zi 207 .

Largimi i trurit dhe i rinisë është një plagë e madhe për vendin.

Një tjetër institucion prestigjoz, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, bën me dije se fenomeni i shpopullimit në Shqipëri, gjatë viteve të fundit është përkeqësuar sidomos me largimin e grupmoshave 20-24 vjeç. Studimi vëren se nga 105 mijë qytetarë që ikin nga Shqipëria, 40,700 persona janë të arsimuar ose 40 për qind e totalit.

Largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë duhet ndalur sa më parë.

Të rinjve tanë u duhet ofruar më shumë shpresë, alternativa edukimi dhe punësimi, ndërsa të arsimuarve më shumë shanse të barabarta, vlerësim meritokracie dhe vende pune, ku të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre intelektual. Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain”!
Mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë.

Vendi ynë ka treguesit më të lartë të mosarsimimit dhe të mospunësimit të rinisë në Europë dhe në rajon.

Sipas INSTAT, më shumë se 1 në 4 të rinj të grupmoshës 15 – 24 vjeç nuk janë as në shkollë dhe as në punë. Një dramë e vërtetë për familjet shqiptare, ndërkohë që në Europë dhe përafërsisht edhe në rajon vetëm 1 në 10 veta të kësaj grupmoshe nuk i përket kësaj kategorie .

Sipas Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, nga viti 2010 deri në vitin 2019 janë larguar nga Shqipëria rreth 500 mijë qytetarë, disa herë më shumë në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Me këto ritme dramatike, zbrazja e Shqipërisë rrezikon të kthehet në një fatkeqësi kombëtare.

Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike .

Ndaj duhen shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve jo vetëm për t’i thënë NDAL SHPOPULLIMIT, por për programe konkrete e realiste, që u krijojnë mundësi më të mira qytetarëve e sidomos të rinjve .

Kjo nismë ligjvënëse, ashtu si çështja e shpopullimit të vendit dhe e kërkesave të larta për azil nga ana e shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian dhe jo vetëm, janë çështje që meritojnë të trajtohen bashkarisht nga Kuvendi i ri që pritet të mblidhet e të fillojë punimet në Shtator 2021, e që do të duhet të diskutojë dhe të vendosë mbështetur në interesin më të lartë të vendit dhe të shtetasve tanë.

Për sa më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 59, 85, pika 1, 86 pika1, 88 pika 3, 92/a, dhe 93 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 79/2021 “Për të huajt”, me vlerësimin se, vendimmarrjet me efekt të qenësishëm në jetën shoqërore dhe zhvillimet ekonomike të vendit, duhet të kenë vlerësimin,diskutimin, dhe votimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë./abcnews.al/

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!