Presidenti i Republikës lir Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për Bashkëqeverisjen”.
Sipas Metës, ligji në fjalë shkel Kushtetutën dhe autonominë e pushtetit vendor si dhe krijon institucione paralele dhe mbivendosje kompetencash ndërmjet tyre duke shkelur sigurinë jurudike.
Në argumentet e tjera Meta shprehet se kjo nismë centralizon më shumë pushtet tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri, si dhe bie ndesh me Jurisprudencen e Gjykates Kushtetuese.
“Një sistem i unitetit institucional që po synohet të realizohet me anë të legjitimimit të Agjencisë, do të shërbejë për të rigrupuar edhe organet e pushtetit vendor në një autoritet të vetëm qendror, e në fund si produkt do të gjendet, vetëm centralizim i pushtetit duke homogjenizuar hapësirat institucionale.
Një parashikim i tillë në ligj bie ndesh me parimin e decentralizimit dhe të autonomisë së pushtetit vendor (edhe pse përmes parashikimit të nenit 52 të ligjit kjo hapësirë veprimi tentohet të “ligjërohet” sipas një marrëveshjeje që mund të lidhet midis Agjencisë dhe organeve të pushtetit vendor).
Edhe sikur organet e pushtetit vendor të pranonin të lidhnin marrëveshje siç parashikon neni 52-53 i ligjit, sërish do të ishim përpara situatës së shkeljes së parimit të autonomisë së këtyre organeve dhe rrjedhimisht shkelje të neneve 13, 108, 113 të Kushtetutës.
Është e kuptueshme dhe fakt që pas votimeve të 30 qershorit 2019 për organet e qeverisjes vendore, pa konkurrim dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, tashmë pushteti vendor de facto ushtrohet tërësisht nga funksionarë të emëruar dhe që i përkasin politikisht 100 % të njëjtës forcë politike. Kjo gjendje është si për organin ekzekutiv vendor Kryetarët e Bashkive, ashtu dhe për Këshillat e tyre.
Kjo mund të ketë qenë dhe arsyeja që tashmë, me kalimin e dy viteve nga krijimi i kësaj gjendjeje, Këshilli i Ministrave që ka miratuar propozimin për këtë ligj, e ka humbur krejtësisht idenë mbi parimet kushtetuese që duhen respektuar, veçanërisht parimin se të zgjedhurit vendor dhe organet e vetëqeverisjes vendore duhet të jenë autonomë dhe jo të funksionojnë si organe në varësi të Kryeministrit”, argumenton Presidenti Meta. /abcnews.al/