Meta kthen ligjin për sektorin minerar: Favorizon disa subjekte, shkel rëndë Kushtetutën

schedule11:43 - 14 Qershor, 2021

schedule 11:43 - 14 Qershor, 2021

Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsht ligjin për ndryshime në sektorin minerar.

Një ndër arsyet që kreu i shtetit ka paraqitur për kthimin e këtij ligji është se sipas tij, favorizon disa subjekte të caktuara dhe se ndryshimet në ligj shkelin një sërë parimesh kushtetuese të shtetit të së drejtës.

“Ndryshimet në ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010, janë miratuar përmes një procedure në mungesë të transparencës e konsultimit gjithëpërfshirës dhe këto ndryshime shkelin një sërë parimesh kushtetuese të shtetit të së drejtës, të drejta dhe liri themelore të mbrojtura nga Kushtetuta, duke rënë ndesh kështu me nenet 4, 11, 13, 56, 59, 82, 111, të saj.”

Presidenti arsyeton se “parashikimet e bëra në disa dispozita të ligjit nr. 65/2021, shtojnë rrezikun e që të drejtat e pronësisë private t’i nënshtrohen një regjimi shpronësimi, sipas vlerësimit dhe procedurave aspak transparente, deri antikushtetuese, duke mos siguruar zgjidhjen reale për problematikat e paraqitura nga ekzekutivi.”

Sipas Metës, nga përmbajtja e dispozitave të ligjit duket qartë se, “qëllimi i vetëm për të cilin është kujdesur propozuesi i nismës (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Këshilli i Ministrave) dhe miratuesi i këtyre ndryshimeve (Kuvendi i Shqipërisë) ka qenë ai i krijimit të favorizimeve ligjore për subjekte private, që operojnë në sektorin minerar, pa vlerësuar si duhet dhe në mënyrë proporcionale të drejta të ligjshme të pronësisë që mund të cenohen.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!