Meta kthen anti-shpifjen, Përfaqësuesi i OSBE: Të përmirësohet ligji, sidomos pjesa e gjobave

schedule19:23 - 13 Janar, 2020

schedule 19:23 - 13 Janar, 2020

Përfaqësuesi i OSBE-së për median, Harlem Desir reagoi sërish sot për ligjin antishpifje pasi Presidenti vendosi ta kthejë ligjin në Parlament. Ndryshe nga hera e kaluar kur u shpreh se “kemi bashkëpunuar me Kryeministrin”, Desir thotë se ” është i gatshëm të punojë me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të medias online, veçanërisht atyre pjesëve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar”.

Zyra e OSBE-së për shtypin e bëri këtë deklaratë pas marrjes së dokumentave shpjeguese nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta për arsye të mosdekretimit të ligjit për shtypin në Shqipëri.

“Përfaqësuesi i medias përsërit se asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Ai shpreson se rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e zyrës së OSBE-së për lirinë e medias.

Presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligje “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”. Sa i takon ligjit të parë, Presidenti Meta vlerëson se ai bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.

Ndërsa lidhur me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike” Presidenti Meta shprehu shqetësim për fuqinë e tepërt ndëshkimore që merr AKEP ndaj mediave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!