Debati mbi rihapjen e hetimeve për ngjarjet e “21 Janarit” është intensifikuar, ndërsa figura të drejtësisë dhe politikës po rikthehen në qendër të vëmendjes. Në emisionin “Real Story” në ABC News, ish-prokurori Ervin Karanxha dhe ish-ministri i Brendshëm Bajram Yzeiraj dhanë qëndrime të forta lidhur me mënyrën se si janë trajtuar dëshmitë dhe hetimet e kësaj ngjarjeje.
Karanxha theksoi rëndësinë e justifikimit të çdo dëshmie, sidomos kur ajo lidhet me ngjarje të ndodhura 15 vite më parë, ndërsa kërkoi sqarime mbi rolin dhe dijeninë e aktorëve politikë të kohës.
“Kur bëhet një kërkesë nga dëshmitar para 15 vjetësh, kërkesa duhet të jetë e justifikuar. Dëshmori duhet që ta çmojë nëse ka apo jo lidhje me kërkesën e krimit. Meta duhet të arsyetojë se çfarë di. Nëse ka pasur komunikime për Bamir Topin duhet që ta thotë, se Bamiri ka bërë edhe libër. Prova duhet të ketë lidhje me faktin. Ku ka qenë Meta në atë kohë. Ku ka qenë Ilir Meta më 21 Janar.”
Nga ana tjetër, Yzeiraj ngriti pikëpyetje mbi mbylljen e hetimit fillestar dhe vendimet gjyqësore, duke nënvizuar se personat që u shmangën hetimeve duhet të ndihen të shqetësuar nëse procesi rihapet. Debati shtron sërish në tryezë dilema të vjetra, por me peshë të re në dritën e zhvillimeve aktuale.
“Këta që iu shmangën hetimit ku ndodhi ngjarja e 21 janarit duhet të jenë të shqetësuar, sepse u konsiderua si e mbyllur. Kaloi tre shkallët e gjyqësorit, u dënuan për shpërdorim detyre. U ka ardhur në ndihmë prokuroria, nuk bëri hetim të gjithanshëm dhe kolektiv. I përjashtoi nga hetimi, u dha një dorë të mirë. Gjykata e vlerësoi si vrasje nga pakujdesia, por si mund të bëhet një vrasje nga pakujdesia në mënyrë kolektive. Duhet të marrin raste analoge nga dëshmitarët dhe të vërtetojnë nëse ka apo jo vrasje nga pakujdesia.”/abcnews.al

