Meta i kthen qeverisë ndryshimet në Kodin Penal

schedule16:45 - 6 Gusht, 2019

schedule 16:45 - 6 Gusht, 2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka rrëzuar mazhorancës ndryshimet në Kodin Penal. Kryetari i Shtetit ka paraqitur 4 argumenta për rrëzimin e ligjit, duke arsyetuar se ndryshimet sjellin rrezik për sigurinë juridike të qytetarëve. Në mungesë të Gjykatës së Lartë, kryetari i shtetit kërkon nga mazhoranca të reflektojë konstatimet e gjetura prej tij në zbatimin e ligjit.

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, ndryshimet në ligjin për Kodin Penal, të miratuara nga mazhoranca në seancën e 18 korrikut. Duke vlerësuar se ligji në përgjithësi është një akt ligjor me tendencë pozitive,  kreu i shtetit kujton se nenet e ndryshuara paraqesin paqartësi në formulimin e disa paragrafëve të tyre dhe në disa raste mbivendosen me parashikime të tjera të Kodit Penal. Për rrjedhojë, sipas Presidentit Meta ndryshimet mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike.

“Neni 3 i ligjit 44/2019, që synon ndryshimin e nenit 121 të Kodit Penal, që parashikon veprën penale të ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, krijon mbivendosje me dispozitat e tjera të Kodit Penal dhe nuk është në harmoni me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale. Neni 6 i ligjit nr. 44/2019, që ndryshon nenin 201 të Kodit Penal, në paragrafët 2-5 përmban shprehje abstrakte, përdorimi i të cilave jo vetëm e bën të pamundur zbatimin këtyre paragrafëve në praktikë, por krijon rrezik që të sjellë një precedent në ushtrimin e ndjekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë jo proporcionale. Neni 7 të ligjit 44/2019, i cili parashikon shtimin e një figure të re të veprës penale, atë të transportimit të mbetjeve, është i paqartë në mënyrën se si është miratuar dhe e bën aplikimin e kësaj dispozite të vështirë nga ana praktike”.

 

Ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga PS,  përfshinin ashpërsim të dënimeve për disa vepra penale si: mbajtja e armëve pa leje, veprimtarinë e ndaluar e lojërave të fatit, dekriminalizimin e gabimit mjekësor, cenimin e sigurinë ushqimore dhe dhunën ne stadiume. Ndryshimet e qeverisë në Kodin Penal, për Presidentin Meta rrezikojnë aplikimin e tyre në praktikë të tyre, për shkak të mungesës së qartësisë, çka do të kërkonte shumë shpejt ose amendim të tyre, ose do të bënte të nevojshme sqarimin nga jurisprudenca.

“Duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë, që është e ngarkuar për unifikimin apo edhe interpretimin e përdorimit të normave ligjore, prej disa muajsh nuk është funksionale dhe askush nuk mundet të parashikojë sot se kur do të plotësohet kjo trupë gjyqësore me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve që mund të bëjnë unifikimin e praktikës gjyqësore në procesin penal, vlerësohet se nuk do të jetë e mundur kryerja e analizës gjithëpërfshirëse të ndryshimeve dhe efekteve që mund të kenë ndryshimet e propozuara mbi efektivitetin në sistemin e drejtësisë penale”.

Për mazhorancën kthimi nga Presidenti i ndryshimeve në Kodin Penal nuk ishte i papritur. Në seancën kur këto ndryshime u miratuan, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh i bindur se aktet do të rrëzoheshin nga Ilir Meta.

Pavarësisht vendimit të kreut të shtetit, mazhoranca pritet t’i votojë sërish ndryshimet në Kodin Penal në seancën e muajit shtator./ABC News Albania 24/7