Meta i kërkon KLSH-së të nisë auditimin e plotë për “Albcontrol”

schedule12:51 - 8 Prill, 2021

schedule 12:51 - 8 Prill, 2021

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit që të nisë auditimin e plotë të shoqërisë “Albcontrol”.

Kreu i shtetit argumenton se i është drejtuar sot zyrtarisht KLSH-së i duke i kërkua që të nisë pa vonesë një auditim për “Albcontrol”, nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit, që ka “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë.

Auditimi kërkohet për mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie,  respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese,  përdorimin e fondeve publike, respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”.

Presidenca thekson se kreu i shtetit po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës në “Abcontrol” dhe në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe se i kërkon autoriteteve respektive të marrin të gjitha masat, për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror dhe të shërbimeve aeroportuale.

Meta u bën thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe bën të ditur se është i gatshëm në çdo moment të thërrasë një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!