Ilir Meta ka nisur këtë të shtunë një fushatë paralele vetëm me 12 kandidatët e tij, të renditur në listat e koalicionit të Partisë demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.
Në një video mesazh nga burgu, kreu i partisë së lirisë kërkoi votë preferenciale për të në garën për të mposhtur kandidatët demokratë në listën e hapur.
“Unë jam në listë të hapur dhe besoj te Tirana, e cila do të jetë lokomotiva e ndryshimit historik me të paktën 20 deputetë për aleancën tonë “PD–ASHM”.Vota për ILIR METAJ, deputet i Qarkut të Tiranës, është një votë e pastër kundër diktaturës”, thotë Meta.
Meta ka gjetur edhe formulën sesi do ta bëjë fushatën nga qelia, nga ku ndodhet i izoluar që prej tetorit të vitit të kaluar.
“Në kushtet e izolimit ekstrem, unë çdo ditë shkruaj dhe dërgoj 50 deri në 100 letra për shokët e mi, që nga shkolla fillore “Kongresi i Lushnjës”, 8–vjeçarja “Fan Noli”, gjimnazi “Sami Frashëri”, Fakulteti i Ekonomisë, shokëve që nga koha e sportit, për të kërkuar mbështetjen e tyre jo vetëm për Nr. 1, “PD–ASHM, por edhe për Ilir Metaj si deputet i Tiranës”, shprehet ai.
Marrja e Mandatit të deputetit për kryetarin e Partisë së Lirisë, do të thotë të fitojë pikërisht lirinë.
Kushtetuta e Shqipërisë parashikon në nënin 71 të saj se mandati i deputetit fillon ditën kur ai shpallet i zgjedhur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Për këtë arsye, përsa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë, Ilir Meta, në rast se do të arrijë të siguroi mandatin në listë të hapur, do të marre edhe imunitetin që i mundëson atij daljen nga qelia.

