Presidenti Ilir Meta mbajti fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare “Feja si instrument për paqen”. Kreu i shtetit vlerësoi harmoninë fetare në vend, që sipas tij ka ndikuar edhe në procesin e integrimit europian të vendit.
“Mos lejoni që Shqipëria të vuajë dimrin demografik të Europës na ka parositur Papa Francesku. Dua të falenderoj këshillin ndërfetar të Shqipërisë që nuk ka reshtur se apeluari. Ndaj ne lutemi që të rinjtë tanë ta ndërtojnë këtu të ardhmen. Shqipëria është e angazhuar për integrimin në BE. Do falenderoja të gjithë krerët fetarë që kanë qenë të bashkuar në këtë proces”, tha Meta.
Më tej Presidenti vuri në dukje edhe problemet me të cilat hasen komunitetet fetare në vend.
“Po hasen me probleme e blerjes së tokës për të ndërtuar objektet e kultit. Autoritet fetare kanë shprehur shqetësime për ndikimin e huaj. Kjo është një cështje që ngjall përgjegjësi. Duhet të ndërmarrim iniciativa të reja ligjore. Duhet të sigurojmë më shumë mbrojtje për minoritetet. Shqipëria beson në politikat e fqinjësisë së rajonit”, tha Meta.
Ndërsa në fund të fjalës së tij, kreu i shtetit u ndal edhe tek kampet në Siri, teksa përmendi edhe rastin e Alvin Berishës. Lidhur me këtë Meta u shpreh se duhet të ngrihen kampe rehabilitimi për viktimat e këtij fenomeni.
“Sot rajoni ynë përballet me sfidat e përbashkëta me kampet në Siri. Vendi u trondit nga rasti i Alvin Berishës. Falë gazetarisë profesioniste vogëlushi u shpëtua dhe është pranë familjes. Por ka edhe kampe të tjera që ndodhen me dhjetëra gra e fëmijë. Duhet të ngrihen kampet e rahabilitimit. Viktimat e këtij fenomeni duhet të identifikohen dhe integrohen”, tha Presidenti. /abcnews.al