Meta: Djegia e mandateve, veprim ekstrem

schedule09:10 - 20 Shkurt, 2019

schedule 09:10 - 20 Shkurt, 2019

Sipas Presidentit të Republikës, Ilir Meta, vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet e deputetëve është një veprim ekstrem që nuk i shërben demokracisë dhe rrugës së Shqipërisë drejt integrimit. Kreu i shtetit thotë se është koha për një hap prapa nga opozita, por edhe për dy hapa prapa nga ana e qeverisë. Ai fton palët të mos instrumentalizojnë pakënaqësitë dhe zemërimin e njerëzve.

Pas protestës së opozitës ditën e shtunë, ku pati edhe akte dhune para kryeministrisë dhe pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve parlamentare, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerëson se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë dhe integrimit europian të vendit. Në një intervistë dhënë në Berlin për Deutsche Welle, kreu i shtetit u shpreh kundër konfrontimit dhe apeloi palët të reflektojnë.

“Përshkallëzimi i protestave apo i politikave ndarëse, akoma më keq konfrontuese, sidomos jashtë institucioneve, është një zhvillim i padëshiruar, ndërkohë që mbeten pak muaj që vendet anëtare të Bashkimit Europian të shprehen edhe një herë për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim të vendit. Kështu që është momenti për të reflektuar të gjitha palët, për të pasur një qasje tjetër jashtë konfrontimeve të padëshiruara”.

Presidenti Meta pyetet edhe për krizën institucionale që mund të prodhojë dorëzimi i mandateve të deputetëve opozitarë.

“Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar. Dhe me këtë është e lidhur edhe shpresa për të mos e shpopulluar më tej vendin tonë, sidomos nga të rinjtë dhe forcat më krijuese të tij. Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre”.

Dhe duke u ndaluar tek përgjegjësitë dhe detyrimet e qeverisë presidenti Meta rendit:

“Është detyra e tyre të japin shembullin të parët në respektimin e Kushtetutës dhe të kufijve që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka përcaktuar qeverisë.  Të respektojnë institucionet e pavarura, të mos ndikojnë te krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë. Të japin shembullin të parët për luftën kundër korrupsionit dhe për shumë çështje që kanë tronditur opinionin publik, pasi në fund fare asnjë justifikim nuk do të jetë i vlefshëm dhe i dobishëm për askënd në rast se vendi do ta humbasë këtë mundësi”.

Në lidhje me protestën e paralajmëruar nga opozita për të enjten, kreu i shtetit kërkon që çdo protestë të jetë paqësore dhe organizatorët të marrin të gjitha përgjegjësitë e tyre, ashtu sikurse thotë se është e turpshme që protestat të provokohen për çdo lloj arsye. Presidenti pranon se në Shqipëri ka pakënaqësi dhe zemërim nga njerëzit, por u kujton të gjitha palëve se nuk është koha për ta instrumentalizuar këtë zemërim, por për ta lexuar dhe për të reflektuar me përgjegjësi se si kjo të kthehet në një energji pozitive për zhvillimin e vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!