Meta apel mazhorancës dhe opozitës: Konfliktet duhet t’i lenë vend bashkëpunimit

schedule20:33 - 18 Janar, 2018

schedule 20:33 - 18 Janar, 2018

Shqipëria ndodhet në një moment kyç të rrugëtimit të saj evropian. Me këto fjalë i drejtohet Ilir Meta përfaqësuesve të trupave diplomatik në vendin tonë, por mesazhin më të drejtëpërdrejtë e ka për ata që janë votuar nga shqiptarët.

Ilir Meta: “Natyrisht thirrja e parë u shkon të gjithë aktorëve vendas, në veçanti mazhorancës dhe opozitës për të përmbushur me përgjegjësi maksimale detyrimet tona”.

Çelja e negociatave gjatë Presidencës bullgare, kërkon shumëfishimin e përpjekjeve të përbashkëta për të garantuar sigurinë në rrugën e përbashkët evropiane të vendit u shpreh kreu i shtetit duke theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi mes palëve në këtë moment.

Ilir Meta: “Ndaj konfliktet dhe fryma përjashtuese duhet t’i lenë vendin bashkëpunimit dhe dialogut politik për të arritur rezultate më të prekshme e të besueshme për reformat e kërkuara e sidomos në 5 prioritetet kyçe, duke nisur me reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, të drejtat e pronës, reforma e drejtë në administratën publike dhe respektimi i të drejtave të njeriut”.

Sytë e shqiptarëve por edhe partnerëve ndërkombëtarë janë drejtuar nga politika, sipas Metës, në pritje të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë në respekt të ndryshimeve kushtetuese të realizuara me konsensus.

Ilir Meta: “Ndaj zbatimi i reformës në mënyrë transparente, të përgjegjshme e të paanshme kërkon dialog dhe bashkëpunim të qëndrueshëm e të sinqertë për të garantuar pavarësinë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë”.

Niveli i pavarësisë së institucioneve për kryetarin e shtetit mbetet barometri më i saktë i standardit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës./abcnews.al