Dhjetëra mijëra mësimdhënës rumunë hynë në grevë më 22 maj duke kërkuar rritje të konsiderueshme të pagave dhe duke bërë thirrje për më shumë investime në arsim.
Rreth 100,000-150,000 mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme ndaluan punën, derisa kërkojnë që qeveria e koalicionit të përmbushë kërkesat e tyre, shkruan REL.
Bisedimet e minutës së fundit më 21 maj midis sindikatave të mësuesve dhe qeverisë së kryeministrit Nicolae Ciuca nuk arritën një marrëveshje dhe në këtë formë dështuan përpjekjet e qeverisë për t’i rikthyer mësimdhënësit në shkolla.
Marcel Ciolacu, nga partia PSD, që do të jetë kryeministër i ardhshëm sipas rotacionit të vendosur nga koalicioni, dërgoi një mesazh të vonuar të premten, përmes të cilit u tregua i “gatshëm” për të diskutuar gjatë fundjavës me krerët e sindikatave “për të shmangur grevën e përgjithshme”.
Ai hodhi fajin sindikatave, duke thënë se “kjo grevë është e dëmshme jo vetëm në funksionimin e shkollave, por edhe në jetën e miliona familjeve”.
Ciolacu u përpoq të ushtronte presion mbi drejtuesit e sindikatave, duke shtuar se rumunët presin prej tyre – dhe nga politikanët – zgjidhje të qeta dhe racionale “ndërsa fëmijët e shohin paqen e tyre në shkollë”.