Mësuesi që u bë fermer/ Nazmi Alija: Me pak mund, por në fshat jetohet mirë

schedule20:13 - 27 Prill, 2024

schedule 20:13 - 27 Prill, 2024

Shumë pranë shtëpisë së tij në fshatin Kuturman të Librazhdit Nazmi Alija ka ngritur disa dynyum me vreshta dhe ka mbjellë dhjetra pemë frutore.

Këtë punë e nisi disa vite më parë kur u detyrua të largohej nga detyra e mësuesit që e ushtroi për gati 4 dekada.

Në tokat e tij gjen pemë të ndryshme si mollë, qershi e deri te kivi. Mund ka shumë por thotë se ja ka dalë falë dashurisë për tokën.

Përveç pemëve frutore po aq rëndësi dhe kujdes u kushton edhe vreshtave. Me rrush ka mbjellë afro 3 dynym.

Lodhja dhe përkushtimi thotë si i janë shpërblyer. Prodhimi që ka marrë cdo vit nga rrushi dhe pemët frutore ka qënë i mbarë.

Krah ka pasur gjithmonë bashkëshorten. Si në shtëpi e në bujqesi punët i kanë ndarë bashkë. Kohët e fundit, ka zbuluar një pasion tjetër. Bletarinë. Ka disa koshere për të cilat kujdeset thuajse çdo ditë.

Edhe pse nga arsimi është larguar disa vite më parë, ish kolegët gjejnë kohë dhe e vizitojnë në oazin e tij pranë shtëpisë.

Nazmiu thotë se deri sa të ketë jetë nuk do të largohet nga fshati i tij, madje u bën thirrje edhe të rinjve të rikthen pasi vetëm me pak punë mund të kenë nje jetë të qetë e të shëndetshme mes ajrit të pastër e natyrës së veçantë të zonës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!