Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

Mësuesi humbi jetën teksa kthehej nga shkolla/ Familjarët dhe kolegët: Sakrifikoi jetën deri ditën e fundit

schedule12:08 - 17 Prill, 2026

schedule 12:08 - 17 Prill, 2026

BILISHT- 52-vjeçari Alban Bejleri, mësues nga Bilishti, ndërroi jetë papritur teksa po kthehej për në shtëpi, pas një tjetër dite pune të zakonshme… por jo të lehtë.

Prej 5 vitesh, edhe pse i sëmurë, ai përshkonte çdo ditë një rrugë të gjatë dhe të vështirë, deri në 14 kilometra në këmbë, për të arritur në fshatin e thellë malor të Marjanit, në bashkinë e Maliqit. E bënte këtë rrugë për vetëm dy nxënës, duke mos pranuar që ata të mbeteshin pa arsim.

Edhe pse vuante nga diabeti, Albani nuk e ndali asnjëherë misionin e tij. I diplomuar për mësuesi dhe informatikë, ai zgjodhi të ndiqte rrugën e familjes, ku sot numërohen plot 17 mësues në trungun e tij.



Xhaxhai i tij, Besim Bejleri, mes dhimbjes tregon përkushtimin e nipit, i cili çdo ditë nisej nga Bilishti drejt njësisë administrative Lozhan dhe më pas vijonte në këmbë në terrenin e vështirë malor, vetëm për të mos munguar në klasë.

“Nga farë e fisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalë-pak, punëtor dhe besimtar. Ashtu siç ishte besimtar, ishte edhe njëkohësisht kontribuues karshi fëmijëve, rritjes së brezit të ri. Ai ishte i sëmurë. Vuante nga sëmundja e sheqerit.

I bëj thirrje gjithë politikanëve të të gjitha ngjyrave: që personat që janë të sëmurë duhet që të jenë afër familjes. Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh: mendoni për këta njerëz, për edukatorët. Ishte njeri me dy universitete. Makinën e linte 7 kilometra larg nga shkolla. Shkonte për dy nxënës. Ishte njeri i përsosur.”

Për kolegët, Alban Bejleri ishte më shumë se një mësues. Ai ishte shembull i sakrificës dhe dashurisë për dijen, një figurë që për 30 vite i qëndroi pranë nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Bilishtit.

Sot, familjarët, miqtë dhe komuniteti e përcjellin me dhimbje, duke kujtuar një njeri që jetën ia kushtoi arsimit dhe fëmijëve. Alban Bejleri lë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë… por mbi të gjitha, një histori që flet për përkushtimin e heshtur të mësuesit shqiptar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!