Mësueset “heroina” në male/ Pranë nxënësve, edhe në pension. Shërbejnë në fshat për dijen e të vegjëlve

schedule15:50 - 7 Mars, 2025

schedule 15:50 - 7 Mars, 2025

7 Marsi, dita e mësuesit, është një moment i veçantë për ata që kultivojnë dije, përgatisin breza të tërë. Ky mision merr kuptim të plotë për mësuese Martinën dhe Kristinën, të cilat ecin çdo ditë në këmbë rreth 40 minuta për të qenë në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” në Bardhaj të Mirditës pranë nxënësve të tyre, që i konsiderojnë si fëmijë.

Martine Margjini dhe Kristina Bushpepa prej më shumë se 3 dekadash sfidojnë kushtet atmosferike dhe një terren të thyer në veri të vendit për të përmbushur misionin fisnik të mësuesit, mision të cilin nuk e kanë mbyllur edhe pse kanë kaluar moshën e pensionit.

“Aktualisht jap mësim në pension bëra rreth gati 3 vite, për arsye të kuadrit, mungesa e kuadrit, të nismës së kryeministrit që të rikthehen mësueset në shkolla. Duke parë që nevoja e nxënësve dhe prindërve është për të kontribuar, pavarësisht që rruga është pak e vështirë, më detyruan shumë faktorë që përsëri të vazhdoja, u shpreh mësuesja Martina Gjini.

“Nga gjithë karriera prej 40 vitesh jam shumë e emocionuar se ndihem shumë borxhlie ndaj prindërve se kam pas një bashkëpunim shumë të mirë mes nxënësve që më kanë respektuar dhe më kanë respektuar. Ajo që kam vënë re këtu që kur kam ardhur është fakto që ka qenë me tradita, ka nxjerr kuadro nga të gjitha fushat”, tha mësuese Kristina Bushpepa.

Edhe pse i kanë shërbyer thuajse gjithë jetën, të dyja thonë se i janë mirënjohëse komuniteti dhe duan ende të kontribuojnë, varësisht nga sfidat që me kalimin e viteve bëhen edhe më të vështira për t’u përballuar.

 “Ndonëse rruga nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë e vështirë. Nxënësit dhe mësuesit ecim në këmbë në ujë, shi e breshër”, u shpreh Kristina.

 “35 minuta, jemi pak më larg nga nxënësit. Ne lemë takim me nxënësit dhe takohemi të gjithë së bashku. Ujëra ka, bie borë e bëhet akull, por me thënë të drejtën frekuentimi është i paparë, tha më tej Martina.

Kur i kujton 7 Marsin mbushen me nostalgji dhe rikthejnë kujtimet e atyre viteve kur klasat gumëzhinin nga qindra nxënës, kur kishte më shumë jetë, jo vetëm arsimore por edhe artistike. Por, mes mijërave kujtimeve në ditë feste, me ne ata ndajnë edhe momente të hidhura.

 “Një fëmijë erdhi i parë për më uruar 7 Marsin, kur erdhëm fëmijët e tjerë ai i fsheh poshtë shkallëve. Nuk kishte lule. Më e keqja është se ai nuk jeton sot. Pyeta nxënësit pse nuk është ky nxënës, edhe m’tha se nuk…. E përqafova e i thash ti je më i respektuari nga të gjithë”, shprehet Martina.

“Mos e braktisini profesioni jepni sa më shumë nga vetja juaj, fëmija pret ushqim. Mësimi është ushqim për fëmijët”, është mesazhi kryesor.

Shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri” në Bardhaj është plot 102 vjeçare, që ka bërë historinë e arsimimit në zonë. Shkollë e 7 fshatrave. Është e para, ku kanë mësuar breza të tërë dhe kanë dhënë dijë mësues nga i gjithë vendi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!