Newell’s Old Boys është klubi ku u rrit Leo Messit dhe në Argjentinë ëndërrojnë ta shohin një ditë në shtëpi yllin e Barcelonës. 32-vjeçari nisi të luajë futboll me skuadrën nga Rosario përpara se të transferohej te Barcelona për të shkruar një nga historitë më të bukura të futbollit.
Në një prononcim për AS, zëvendës presidenti i Newell’s Old Boys, Christian D’Amico flet rreth mundësisë që “pleshti” të rikthehet në shtëpi dhe tregon se kush e ka në dorë diçka të tillë.
“Si tifoz ëndërroj që Messi të kthehet në shtëpi. E dimë që e ka shprehur edhe ai këtë dëshirë publikisht, Leo e dashuron Newell’s Old Boys. Nuk është e thjeshtë, por kjo është ëndrra e gjithë argjentinasve. Rikthimi i tij varet nga babai i Leos.
Ne e adhurojmë shumë Messin dhe kjo është shtëpia e tij. Jemi të qartë për lidhjen e madhe që ka me Barcelonën dhe kam vetëm admirim për gjithçka që ka bërë. Sigurisht që financat tona nuk na lejojnë të blejmë Messin, por rikthimi i tij shkon përtej Newell’s Old Boys“, deklaron zëvendës presidenti i klubit latin. /abcnews.al