Çdo shkronjë të kontratës së re e ka shkruar me gola. Lionel Mesi dhe futbolli amerikan janë bërë një binom i pandarë, në një lloj “martese” që nuk mendohej se mund të ndodhte ndonjëherë. Kur superylli nga Argjentina kaloi Atlantikun duke braktisur Paris SG për Inter të Majemit, shumëkush mendoi me të drejtë se ai doli në pension.
Shkoi në një drejtim të kundër me rivalin e tij të madh, Kristiano Ronaldo, I cili zgjodhi Arabinë Saudite dhe rrogën e jashtëzakonshme prej 200 milionë eurosh, të cilën Mesi nuk e mendon në Shtetet e Bashkuara.
Kontrata e re 3-vjeçare arrin në 162 milionë USD gjithsej, pra më pak sesa rroga e një viti e CR7-ës, veçse magjistari I futbollit do të ketë të drejtë të blejë aksione në klub, të mbajë kontratat shumë të mëdha me gjigandë si Adidas dhe Ejpëll si dhe të jetë në rolin e ambasadorit të Interit.
Në moshën 38-vjeçare ai është ende një futbollist i shkëlqyer, dhe në futbollin amerikan ka arritur statistika shumë të larta. Leo ka luajtur 82 ndeshje zyrtare që nga korriku 2023, ka shënuar 71 gola e ka shërbyer 36 asiste.
Skuadra nga Florida ka fituar Kupën e Ligës dhe Superkupën, ndërsa synon këtë vit titullin në Ligën Profesioniste Amerikane.
Falë të ardhurave nga prania e Mesit, në Majemi po ndërtohet një stadium i ri me vlerë 1 miliardë USD, ndërsa vazhdon rivaliteti i pafund i tij me Ronaldon.
Argjentinasi ka 891 gola e 399 asistë në 1131 ndeshje, ndaj 950 golave e 259 asistëve të portugezit në 1294 sfida. Leo është më lart në gola dhe asistë për minuta, ndërsa popullariteti i tij në Shtetet e Bashkuara është i tillë që ai duket se do të arrijë atë që nuk mundën ta bënin Pele, Krujf apo Bekenbauer, që futbolli të jetë sport kombëtar amerikan, ashtu si basketbolli, hokeji në akull, bejsbolli apo futbolli amerikan.

