Lionel Messi një ditë më parë mori për të gjashtën herë trofeun e “Këpucës së Artë”, ndërkohë që nuk i është shmangur mediave. Ai ka folur edhe në lidhje me largimin nga futbollit dhe thekson se kur ta shohë që nuk mundët më, atëherë do të thotë “stop”.
“Ju e kuptoni se sa kohë mund të vazhdoni të luani. Do ta zbuloj edhe unë me kalimin e kohës. Do të jem i pari që do të them se erdha deri këtu dhe nuk mundëm më. Nëse ndihem mirë, do të vazhdoj. Do ta zbuloj me kalimin e viteve”, është shprehur argjentinasi i Barcelonës.
Ndodh shpesh që shumë lojtarë me kalimin e viteve ndryshojnë pozicion, kjo për shkak të gjendjes fizike. Messi shihet shpesh të tërhiqet pas për ta marrë topin dhe për të nisur më pas aksionet sulmuese të Barcelonës.
I ngacmuar nëse e mendon që më vonë të luajë si mesfushor qendror, ai thotë: Kjo gjë varet nga mënyrat se si do të shkojnë gjërat. Tani kthehem prapa për të marrë topin në mesfushë. Nuk e di de çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.
Më pas Messi refuzon të thotë fjalë të mira për veten: “Preferoj që të flasin të tjerët për mua. E di çfarë jam, çfarë kam bërë dhe çfarë mund të jap për ekipin. Gjithsesi këto i mbaj për vete. Nuk më pëlqen të flas për veten, por për grupin”.
Frankie De Jong ishte një nga afrimet e bujshme të Barcelonës në merkato dhe Messi vlerëson holandezin: “Ka qenë e lehtë për të të përshtatet me skuadrën, pasi ka ardhur nga një klub si Ajaxi. Edhe aty kanë të njëjtën filozofi me ne.
Është rritur me të njëjta ide dhe me të njëjtën mënyrë loje, edhe pse atje nuk ka luajtur shumë në ndeshje ku ka pak hapësira. I pëlqen të ketë topin, të luajë pa fjalë, të pasojë mes linjave. Është i fortë, ka hap të shpejtë dhe mund të them se është një lojtar i plotësuar”.
Në fund është ngacmuar sërish në lidhje me largimin nga Barcelona për një eksperiencë të re, gjë që i është sugjeruar edhe nga Cristiano Ronaldo. “Të gjithë kërkojnë të realizojnë objektivat e tyre dhe përjetojnë eksperiencat që duan. Unë kurrë nuk kam pasur nevojë të largohem nga klubi më i madh në botë. Këtu kënaqem në stërvitje, në ndeshje dhe në qytet. Kam gjithçka që dua”, ka përfunduar ylli i katalanasve. /abcnews.al