Ronald Koeman ka nisur të përgatisë Barcelonën për sezonin e ri dhe sot ka dhënë një intervistë për mediet mbi lojtarët e spikatur, blerjet e reja dhe lojtarët e dëmtuar. Ra në sy fakti se ai nuk foli për Griezmann dhe Braithwaite, të cilët përfliten për largimin nga klubi.
“Është mirë të kesh Eric Garcian në skuadër. Është rritur te Barcelona, tani ka edhe përvojën e të lujaturit në Premier League. Ka shumë eksperiencë dhe është vetëm 20 vjeç. Është shumë i mirë si qendërmbrojtës, përdor mirë topin dhe është taktikisht i zgjuar. Është afrim shumë i mirë.
Memphis? Unë e njoh atë nga kombëtarja e Holandës dhe është lojtar i nivelit të lartë. Ishte kapiten i ekipit. Barça në fakt nuk është Lyon, është diçka tjetër, por është 27 vjeç dhe ka moshën e duhur për një hap të tillë. Luan disa pozicione në sulm dhe bën shumë gjëra.
Aguero ka shumë përvojë dhe një cilësi të shkëlqyer brenda zonës. Ai është finalizues, shënon gola dhe shpresojmë ta sjellim atë në gjendje të mirë fizike. Sezonin e shkuar humbi kohë prej dëmtimeve dhe shpresoj të kthehet në nivelin e tij më të mirë.
Emerson Royal? Ishte me Brazilin në kombëtare. Nëse të thërret Brazili mes aq shumë mundësive që kanë, tregon qartë cilësitë e tij. Kemi analizuar sezonin e tij te Betis. Ai do na japë shumë forcë dhe është një mbrojtës gjithashtu ofensiv, ashtu siç Barça ka nevojë.
Messi është shumë i rëndësishëm. Pati një nisje të vështirë të sezonit, por ai dëshmoi edhe një herë se është më i miri në botë. Shënoi 30 gola, i dha ekipit shumë pikë dhe e tregoi veten me Argjentinën duke fituar Kupën e Amerikës. Shpresojmë të rinovojë për shumë vite.
Pedri kaloi sezon fantastik. Jo të gjithë e njihnin atë, por kur atij iu dha mundësia, tregoi se mund të luajë me Barcelonën, edhe pse është 18 vjeç. Ai ka talent të madh dhe është e ardhmja e klubit. Është për të ardhur keq që ai do shkojë në Olimpiadë.
Frenkie (De Jong) duhet të ndjekë rrugën që po ndjek. Pas vitit të tij të parë ka bërë hap të madh përpara. Ka ndjerë më shumë përgjegjësi për ekipin, loja e tij sulmuese është përmirësuar dhe ne vazhdojmë të punojmë për ta përmirësuar më shumë.
Ansu (Fati) është shumë i rëndësishëm për ne, e pamë këtë në nisje të sezonit. Ishte shumë i pafat dhe tani po shërohet e në pak kohë do bashkohet me ne në stërvitje. Është i ri dhe e pret një e ardhme e madhe.
Është një keqardhje e madhe për klubin dhe për Ousmane Dembele që ai u dëmtua sërish. Ai është një tjetër lojtar, që ka kontribuar shumë për ne në vitin e kaluar. Është një nga të paktët të aftë në duelet një kundër një dhe në shpejtësi. Shpresojmë të kthehet së shpejti”, tha Koeman. /abcnews.al