“Messi nuk do të shkojë te Barcelona”, Al-Hilal gati të “shkrijë” pasurinë për të sjellë “pleshtin” në Arabi

schedule13:52 - 4 Maj, 2023

schedule 13:52 - 4 Maj, 2023

Largimi në mënyrë të beftë nga pa lejen e klubit drejt Arabisë Saudite, duket se i ka vënë vulën “divorcit” mes “pleshtit”, Leo Messi dhe “gjigandëve” francezë të PSG, mirëpo teksa gjithë bota pret një rikthim të 7 herë fituesit të “Topit të Artë” te Barcelona aty ku shkroi historinë gjithçka duket se ka marrë një rrjedhë tjetër dhe tashmë Messi mund të transferohet te “rivalët” e Al-Nassr të Cristiano Ronaldos, Al-Hilal.

Këtë “informacion” e zbuloi në një intervistë për prestigjiozen spanjolle “MARCA”, agjenti i FIFA-s, Marco Kirdemir, i cili mban gjithashtu dhe një marrëdhënie shumë të mirë me Presidentin e PSG, Nasser Al-Khelaifi, si dhe me mbretin e Arabisë Saudite gjithashtu.

Gjatë intervistës Kirdemir tha se Barça nuk është një “opsion” të paktën deri në momentin kur Messi të vendosë t’i japë fund karrierës si profesionit. Në fjalën e tij agjenti i FIFA shtoi gjithashtu se Al-Hilal ka rritur vlerën e ofertës teksa e çuar shifrën që dëshiron t’i japë “pleshtit” në sezon, në plot 600 milionë dollarë.

“Ai nuk do të shkojë në Barcelonë. Ai dëshiron të kthehet kur të pensionohet. Leo ka një ofertë prej 600 milionë dollarësh nga Al-Hilal, skuadra e Mbretit. Messi udhëtoi në vend për ta takuar, për të parë vendin ku mund të jetonte nëse familja e tij jep OK, ai do të luajë në Arabinë Saudite”,- tha Kirdemir.

Më tej në fjalën e tij agjenti i FIFA shtoi se vizita në Arabinë Saudite është dhe arsyeja kryesore e “përplasjes” mes “pleshtit” dhe Presidentit Al-Khelaifi.

“Nëse ai do të kishte udhëtuar në një vend që nuk kishte probleme me Katarin, nuk do të kishte kaq shumë spekulime. Kjo ka zemëruar PSG-në dhe Al-Khelaifi nuk është i vetmi i zemëruar me Messin”,- tha më tej gjatë intervistës, Kirdemir.

Në fund, agjenti i FIFA shtoi se “arabët” e Al-Hilal janë gati ta “shkrijnë” pasurinë e tyre vetëm për të pasur “pleshtin” në ekip, teksa përveç tij dhe Sergio Ramos pritet të marrë një ofertë, por kësaj here nga Al-Nassr, ndërsa, kujtojmë se i vetmi lojtar që ka refuzuar deri më tani në mënyrë kategorike milionat arabe është “arkitekti” kroat i mesfushës, Luka Modric. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!