Lionel Messi hyn në histori si i pari lojtar që shënon 400 gola në ligën spanjolle. Ylli i Barcelonës vazhdon të thyejë rekorde, ndërsa ka lavdërime dhe polemika.
Historia nisi 14 vjet më parë. Një adoleshent me emrin Lionel Messi shënoi golin e parë me fanelën e Barcelonës në La Liga, i shërbyer nga legjenda Ronaldinho. Shumë shpejt, bota do ta njihte mirë 17-vjeçarin, që do të kalonte të gjitha legjendat, dhe do të thyente thuajse të gjithë rekordet.
Mbrëmjen e së dielës së 13 Janarit 2019, argjentinasi u bë i pari lojtar në histori që arrin në 400 rrjeta në kampionatin spanjoll, duke realizuar të dytin ndaj Eibarit. Ky gur kilometrik u mbërrit pikërisht në stadiumin “Kamp Nou”, në prani të mbi 71 000 spektatorëve.
E gjitha kjo në vetëm 435 ndeshje, me një mesatare prej 0.9 golash për çdo takim. Mesatare më të lartë se ai ka vetëm Cristiano Ronaldo, me 1.07 gola për ndeshje, ndonëse duhet theksuar se portugezi erdhi tek Reali në moshën 23-vjeçare, ndërsa Messi e nisi karrierën në La Liga vetëm 17 vjeç.
Argjentinasi ka sot plot 89 rrjeta më shumë sesa CR7-ta, tashmë i larguar tek Juventusi. Celebrimi mediatik për kapitenin katalanas ishte i natyrshëm.
“El Mundo Deportivo”: 400 gola dhe në vazhdim! Mesi arrin një tjetër rekord historik në La Liga!
“Sport”: Dy njerëz të pamëshirshëm! Luis Suarez shënon dy herë, dhe Messi arrin golin numër 400 në La Liga! Barça gjithnjë e më lider!
“AS”: Mesi shënon golin e tij numër 400 në La Liga!
Gazeta “Marca” e Madridit është e vetmja që nuk ia njeh Messit këtë rekord, duke theksuar se, për të, argjentinasi ka 399 gola në kampionat, ndërsa një rrjetë ndaj Bilbaos në 2012, duhet të quhet autogol.
“Numrat e Messit janë stratosferikë, – u shpreh trajneri i tij, Valverde, – janë të pabesueshëm. Jo vetëm golat, por gjithçka që ai bën, që krikon. Ai i përket një galaksie tjetër, dhe mund të arrijë në 500 gola”.
“Messi e tregon çdo ditë se çfarë është në gjendje të bëjë dhe sesa i madh është, – shtoi shoku i tij i skuadrës, Luis Suarez, – jam me fat që luaj me të, dhe jam i bindur se do të shënojë edhe më shumë gola, dhe së bashku do të fitojmë më shumë trofe”.
Agjencia e statistikave, OPTA, thekson se Messi bëhet i dyti lojtar pas Ronaldos, që arrin 400 rrjeta në ligat europiane, me portugezin që ka 409 në Portugali, Angli, Spanjë dhe Itali. Gjithsesi, Leo ia doli me 63 ndeshje më pak sesa ish-ylli i Realit.
Duke u kthyer tek ndeshja ndaj Eibarit, ajo u fitua 3-0 dhe Barcelona rivendosi epërsinë prej 5 pikësh ndaj Atletikos së Madridit të vendit të dytë, me 10 pikë avantazh kundër Realit. Dy golat e tjerë të katalanasve i shënoi pikërisht Suarez. Sulmuesi uruguajan dhe Mesi kanë shënuar, së bashku, 31 gola këtë sezon të kampionatit, më shumë se çdo skuadër tjetër./abcnews.al