Mësimi online në universitete, studentët: Nuk është efektiv, të hënën mblidhemi në protestë

schedule16:02 - 30 Tetor, 2020

schedule 16:02 - 30 Tetor, 2020

Nga Maksi Rama

 Studentët shprehen se mësimi online nuk është efektiv dhe s’mund të përvetësojnë dijet e tyre siç duhet për disa arsye.

“Për mendimin tim nuk është diçka normale, pasi mësimi online nuk ka qenë fare efektiv”, u shpreh një nga studentët.

Ndërsa një tjetër student u shpreh se ndjehen të braktisur pasi nuk është bërë asgjë më shumë në drejtim të kësaj situate, veçse i kanë njoftuar se mësimi do të zhvillohet online.

“Na kanë braktisur sepse thjesht na thonë që mësimi do të bëhet online. Por nuk thuhet asgjë se si do t’i sigurojmë paratë për internetin, pedagogët kanë pasur shumë problematika në qasjen e tyre”, u shpreh ai.

Një tjetër problem që rëndon xhepat e studentëve është edhe pagesa që kanë bërë për akomodimin në konvikte apo në banesat me qira.

 “Kjo nuk është e drejtë sepse unë dua të filloj një punë dhe nuk kam ku të qëndroj”, u shpreh ajo.

“Është shumë e vështirë pasi jemi pak dit të fillimit të ri Akademik, shumë prej studentëve kanë paguar qiratë”, u shpreh një studente.

Universiteti i Tiranës kishte planifikuar zhvillimin e mësimit edhe online edhe në auditore. Por tashmë pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve është unifikuar platforma online e mësimit.

 “Struktura supreme, në kushtet në të cilat ne jemi është nga Ministria e Shëndetësisë dhe çdo urdhër nga Ministria për është taksativ për ne dhe i detyrueshëm për tu zbatuar. Nisur nga kjo i gjithë mësimi do të zhvillohet online me vitet e para. Mësimdhënia do të bëhet e gjitha në një platformë të unifikuar”, tha zëvendës Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Drita Rira.

Në shenjë pakënaqësie ndaj zhvillimit të mësimit online dhe jo në auditore, studentët kanë paralajmëruar protestë të hënën në orën 10, para Ministrisë së Arsimit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!