Mësimet që duhet të nxëmë nga 2020!

schedule18:29 - 1 Janar, 2021

schedule 18:29 - 1 Janar, 2021

Nga Ilir Beqaj

U mbyll një nga vitet më të çuditshëm të kohëve moderne dhe besoj viti më i paparashikueshëm në historinë e shkruar të njerëzimit.

Askush nuk e kishte menduar  një vit më parë se çfarë do të kalonim për gjatë 2020.

Një pjesë jo e vogël e shqiptarëve në Shqipërinë e mesme bregdetare që humbën shtëpitë e filloi vitin nën pasigurinë e të ardhmes së strehimit. Prej marsit, pastaj të gjithë shqiptarët iu bashkuan botës mbarë në pasigurinë e të ardhmes së afërt të jetës dhe pasurisë.

Besoj se gjithkush prej nesh ka përjetimet e veta gjatë këtij viti. Të gjithë i kemi kaluar përvjetorët e lindjes jo siç do të kishim dëshiruar. Ka midis nesh që nuk mundën të jenë pranë të afërmve dhe të shtrenjtëve në momentet e fundit të jetës apo në ceremonitë mortore. Ka që shtynë celebrimet martesore për vitin 2021. Edhe festat dhe ritet e përvitshme fetare, të krishtera e muslimane, u përcollën në mënyrë krejt modeste.

I ceka këto mësipër pasi mendoj se janë nga momentet më të rëndësishme që seicili nga ne ka në jetën e vet. Por përtej këtyre, besoj se disa mësime të rëndësishme 2020 na dhuroi ne shqiptarëve. Ka prej tyre që janë universale.

Rradhitja e më poshtme nuk presupozon ndonjë përparësi.

  1. Shëndeti është një e mirë publike. Dhe për më tepër një nocion kolektiv, madje ndërkufitar. Shëndeti është më i rëndësishëm se pasuria. Mirëqënia kolektive është më e rëndësishme se privatësia vetjake.
  2. Larja e duarve, higjena personale dhe e mjediseve ku jetojmë dhe punojmë janë universale në mbrojtjen e shëndetit të njeriut. Distanca fizike, mbajtja e maskës, kufizimet e grumbullimeve janë mjete efektive në përballjen me sëmundjet infektive.
  3. Mjeku i familjes duhet të jetë një nga njerëzit më të afërt të familjeve tona. Duhet të rishpiket mekanizimi i shpërblimit financiar të tij.
  4. Për çdo emergjencë mjekësore, kontakti me Urgjencën Mjekësore Kombëtare nëpërmjet 112/127 është mënyra më efektive për të mbrojtur shëndetin.
  5. Përveç barnave edhe shtesat ushqimore (vitamina, kripëra etj), pajisjet mjekësore mbrojtëse, kitet dhe reagentët laboratorikë, detergjentët, lëndët biocide dezinfektuese janë njësoj thelbësore për të ruajtur shëndetin tonë. Prandaj duhet më shumë vëmendje në vendosjen e tyre në treg, duhet lehtësuar barra fiskale që kanë si dhe duhet vendosur rregullim administrativ i çmimeve të tyre, të paktën në periudha kur nevoja për to është kaq masive.
  6. Rëndësia e vaksinave mbetet universale. Edhe në përballjet me gripin e zakonshëm sezonal, qeveritë duhet të garantojnë vaksinimin për të moshuarit, invalidët, punonjësit me risk të mesëm apo të lartë ndaj agjentëve biologjikë, etj.
  7. Prioritizimi në rradhën e vaksinimit nuk duhet të niset vetëm nga brishtësia shëndetësore. Edhe dikush që e ka pagën mujore instrument mbijetese është po aq në nevojë sa dikush tjetër që ka sëmundje shoqëruese që ekspozojnë më shumë ndaj viruseve.
  8. Kujdesi shëndetësor digjital duhet normuar dhe rregulluar sa më parë. Recetat e barnave me WhatsApp nuk mund të ndalohen. Thjesht duhet të formalizohen.
  9. Rimbursimi i barnave sipas përshkrimit gjenerik të tyre duket se i përket të shkuarës. Duhet të përgatitemi të rimbursojmë sipas diagnozës. E bëmë në nëntor 2020 nga nevoja për t’u përballur me Covid-19. Le ta bëjmë në mënyrë më të strukturuar dhe më të plotë për të gjithë skemën e rimbursimit të kostos së barnave.
  10. Kemi nevojë të frikshme për më shumë mjekë dhe infermierë në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor. Një mjek specialist kë nevojë për 11 – 12 vjet formim universitar. Një infermier 6- 7 vjet. Duhet të rrisim kapacitetet universitare të formimit të tyre. Nëse nuk do të jemi ndonjë herë në gjendje të frenojmë emigrimin e tyre, duhet të ndërtojmë një mekanizëm ndërkombëtar që vendet pritëse të personelit shëndetësor të kompensojnë financiarisht vendet e origjinës së personelit të shëndetësor. Vetëm në Gjermani duhet të kemi eksportuar më shumë 500 milionë euro kapital njerëzor profesionistësh shëndetësor.
  11. Digjitalizimi i githë jetës sonë të përditshme ekonomike dhe sociale është tashmë një realitet këmbëkryq. Në shtrirjen e tij sa më kapilare duhet të jemi sa më të “uritur”, sa më të “pangopur”, sa më “agresivë”. Ndërkohë aksesi në botën digjitale për çdo familje duhet të ecë krahpërkrah me të drejta bazike si arsimimi, energjia elektrike, uji i pijshëm dhe kanalizimet.
  12. Në disa aktivitete të caktuara ekonomike, profesionale apo administrative komunikimi në distancë dhe puna nga shtëpia rezultojnë efektive. Në këto aktivitete mund të nxitet që të lejohet që 1 në 5 ditë të javës të mund të punohet nga shtëpia.
  13. Ardhjet në Tiranë pranë selive qëndrore të insitucioneve apo ndërmarrjeve të ndryshme kombëtare të drejtuesve rajonalë e vendorë mund të rrallohen dhe komunikimet mund të bëhen on line.
  14. Gjatë sezonit turisitik veror duhet t’u mundësohet familjeve që të bëjnë edhe pushime të shkurtra disa ditore me qëllim që të shmanget mbipopullimi në atraksionet kryesore turisitike. Çdo fillim sezoni veror qeveria mund të shpallë 2/3 fundjava kur nuk punohet të premte dhe të hënë me qëllim që të formohen 4 ditë pushimi të njëpasnjëshme.
  15. Nëse ia dolëm me sukses që brenda 1 viti të ndërtojmë nga e para shkolla të dëmtuara nga tërmeti, do të thotë se i gjithë iteri aktual i investimeve publike duhet rikonceptuar. Para tërmetit, për të ndërtuar një shkollë nga identifikimi i nevojës, tek gjetja e fondeve, buxhetimi, projektimi, prokurimi, kontraktimi i zbatuesit dhe mbikqyrësit, ndërtimi dhe kolaudimi duhet të kalonin disa vite. Nevoja urgjente për klasa për fëmijët solli që të kemi shkolla të mrekullueshme dhe tre vite të ndodhin vetëm në një vit. Në investimet publike me risk të ulët gjeologjik, kontraktimi me çelësa në dorë duket shumë i efektshëm.
  16. Borxhi publik, defiçiti buxhetor, inflacioni, normat e interesit dhe të tjerë tregues fiskalë e monetarë janë fetishizuar për t’u përdorur më shumë si instrumenta hegjemonistë sesa si nxitës zhvillimi. P.sh. borxhi publik aktual i Greqisë është më i lartë se ai i para disa viteve kur dukej sikur Greqia rrezikonte Unonin Monetar Europian, por askush nuk flet më për të.
  17. Qeveritë kur janë në vështirësi politike janë në gjendje të injektojnë direkt para në nxitjen e konsumit dhe zbutjen e efeketeve të papunësisë masive përtej skemave klasike të mbështetjes për të papunët.
  18. Kur vetë qeveritë angazhojnë burime financiare në kërkimin mjekësor nuk duhen disa vite për të shpikur një formulë të re kimike të një bari apo një vaksinë. Kur më parë nuk kish ndodhur që një vaksinë të shpikej, të testohej dhe të fillonte zbatimin masiv në më pak se një vit.
  19. Solidariteti ndërkombëtar i vendeve të zhvilluara (G7, G8, G20, EU, OECD, etj) kundrejt pjesës tjetër të botës u provua se është më shumë i frymëzuar nga filantropia. Sapo u ndjenë vetë të rrezikuara, shumica e vendeve të zhvilluara u rikthyen në qasje të mirfillta nacionaliste. Kjo u vu re qoftë fillimisht në shpërndarjen e pajisjeve mjekësore jetëshpëtuese apo vetmbrojtëse, qoftë tani në shpërndarjen e vaksinave.
  20. Suksesi në sipërmarrje nuk është meritë e veçantë e talentit apo dijes sipërmarrësit. Ka sipërmarrës që u pasuruan shumë gjatë pandemisë vetëm pse qëlloi që të tregëtonin mallra apo të ofronin shërbime që rezultuan të domosdoshme gjatë pandemisë dhe që oferta ishte e pamjaftueshme. Kjo na tregon sesa të domosdoshëm janë mekanizmat që garantojnë konkurrencën e lirë, që luftojnë monopolet, kartelet etj.

Të gjithë kemi pritur me padurim që 2020 të mbarojë një orë e më parë. Por unë besoj se nuk ka ndodhur më parë, që brenda një viti të kishim mundësinë të bënim kaq shumë pyetje ekzistenciale vehtes, të vinim në dyshim dijet, normat, zakonet tona si dhe të mund të nxënim më shumë se më parë. Do të ishte mëkat të mos nxjerrim mësime nga çfarë kemi kaluar në 2020. Të paktëm t’i japim kuptim sakrificave që na është dashur të bëjmë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!