Mesiç për ndryshimin e kufijve Kosovë–Serbi: Mund të shkaktojë një luftë të re

schedule12:56 - 18 Tetor, 2018

schedule 12:56 - 18 Tetor, 2018

Nëse do të vihej në praktikë ideja për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, një gjë e tillë do të ishte një katastrofë që mund të shkaktonte edhe një luftë të re. deklarata është bërë nga ish presidenti i Kroacisë Stipe Mesiç.

Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç, në një intervistë për “Der Standard” është shprehur për idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai theksoi se një ide e tillë nuk mund të konsiderohet si e mirë, pasi mund të shkaktojë një katastrofë apo gjithashtu një luftë të re. Ish kreu i shtetit kroat u shpreh se arkitektura e Evropës është kompletuar me pavarësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë gjithçka tjetër mund të dërgojë drejt një katastrofe të re, një lufte të re. Sipas tij luftërat në Evropë gjithmonë kanë filluar me arsyetimin se shtetet dëshironin t’i mbronin pakicat e tyre në vendet e tjera. Por, kjo ishte vetëm një arsye, pasi qëllimet e tyre ishin territoret.

Ai tha se një hapje e kufijve do të mund të ishte një ide më e mirë, e në këtë mënyrë serbët dhe shqiptarët nuk do të shqetësoheshin se në cilin shtet jetojnë. Mesiç po ashtu foli edhe për të ashtuquajturit kufij etnikë mes shqiptarëve dhe serbëve, për të cilët tha se një ide e tillë është e vjetër dhe nacionaliste. Nacionalizimi detyrimisht dërgon në fashizëm, ideologji që duhet të ndalohet në Evropë, përfundoi Mesiç./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!