“Mesazhe të qarta për Kurtin”, gazetari: Bill Clinton u prit në mënyrë dinjitoze

schedule17:42 - 4 Korrik, 2023

schedule 17:42 - 4 Korrik, 2023

TIRANË- Vizita e ish-presidentit të SHBA, Bill Clinton në Tiranë ishte kryetemë, e cila mori vëmendje maksimale nga media në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë.

Gjatë fjalës së tij, Clinton përcolli mesazhe të qarta për popullin shqiptar, ndërsa teksa iu referua zhvillimeve në veri të Kosovës, ai bëri thirrje të ndalet menjëherë kjo marrëzi. Gazetari Erl Murati i ftuar në “News Line”, e konsideroi “historike” vizitën e ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Bill Clinton, ka një raport special dhe një vlerë special për ne shqiptarët. Ishte një vizitë me rëndësi historike. Kuptohet  për arsye se Ballkani dhe Kosova në veçanti po kalojnë një periudhë  të trazuar dhe jo të qetë, mesazhet e tij ishin më interesante seç do të ishin dhënë në një kohë kur gjithçka do ishte e qetë”, theksoi ai.

Ai theksoi se thelbi i gjithë fjalimit të tij ishte thirrja për Kosovën, për të cilën kërkoi të veprojë kujdesshëm dhe të shmangen përkeqësimi i klimës në terren. Gazetari shpreson që mesazhet e tij të jenë përthithur nga të gjithë aktorët politikë në Kosovë.

“Mesazhi për Kosovën ishte i qartë: Duhet të marrë fund kjo marrëzi dhe kjo i drejtohej qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës dhe shpresoj që ky mesazh të jetë përthithur. Ishte mesazh mjaft i qartë për qeverinë Kurti. Kurti po ecën në rrugën e tij dhe fatkeqësisht dhe faktorët opozitarë janë të paqartë”, tha ai.

Teksa komentoi turin e Ramës në Ballkan, që pritet ta fillojë ditën e enjte, gazetari tha se Shqipëria është e lirë të bëjë propozime për Kosovën, por “vula” e zgjidhjes së ngërçit me Serbinë është në dorë të SHBA e Brukselit.

“Shqipëria mund të ndihmojë dhe kryeministri është i lirë të bëjë propozimet e tij siç ishte ai për një draft për asociacionin për komunat serbe në Kosovë, por nëse do kemi zgjidhje të kësaj situate, besoj se do vijë nga SHBA dhe Brukseli dhe ndoshta diçka më pak nga Tirana. Me rëndësi që Clinton u prit në mënyrë dinjitoze nga qeveria dhe nga populli shqiptar”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!