Në Vigjilje të Pashkës, kreu i kishës katolike, Imzot Arjan Dodaj uroi besimtarët për më shumë paqe, entuziazëm dhe harmoni me njëri tjetrin.
Në një mesazh drejtuar besimtarëve nga katedralja Shën Pali, vuri theksin tek rëndësia e familjes dhe vlera e saj për shoqërinë shqiptare.
“Mesazhi dhe angazhimi i parë, jo vetëm i fesë, por edhe çdo institucioni shqiptar, të jetë pro familjes, institucionit më të hershëm dhe të domosdoshëm. Zoti krijoi burrin dhe gruan dhe i bekoi duke iu thënë: Shtohuni e shumohuni, mbusheni tokën dhe sundojeni. Urimi i kësaj feste le të jetë që populli dhe kombi shqiptar të vijojë me trashëgiminë e këtij bekimi hyjnor”, tha ai.
Në vigjilje të kremtimit të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të cilët katolikët e festojnë në vitin jubilar të shpresës, Imzot Arjan Dodaj kërkoi të promovohet më shumë kultura e punës.
“Punës së ndershme, që është fryt i njeriut që nuk ka më të varrosur ndërgjegjen, përkundrazi nuk e ka frikë kurrë ta dëgjojë atë. Të bëjnë që Shqipëria të jetë e të gjithëve me pasuritë e saj”, u shpreh ai.
Këtë të shtunë, besimtarët katolikë në Tiranë iu drejtuan katedrales “Shën Pali” për të bekuar shportën e ushqimeve të festës.
“Pasi i bekojmë i konsumojmë nesër në mëngjes”, tregojnë besimtarët.
Teksa marrin bekimet e ushqimeve, nuk mungojnë edhe urimet për njëri tjetrin.
Sipas traditës, të krishterët e presin në shtunën në mesnatë në kishë ngjalljen e Krishtit, ndërsa të dielën festojnë së bashku në tryezat familjare.
/abcnews.al/