76-vjeçari Asllan Ishmaku prej dekadash jetën e tij e ka lidhur me bujqësinë dhe mekanikën. Në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Drojë, ende punon një traktor “Ursus”, mjet bujqësor polak i vitit 1960, të cilin Asllani e bleu në vitin 1975 dhe nuk iu nda kurrë.
Edhe sot, ai këtë makineri e ndez çdo ditë dhe kryen procese të ndryshme pune, duke mbajtur funksional një mjet që për shumëkënd do të ishte vetëm relike muzeale.
“Ky eshte ursus tipi i pare ursus ne vitin 1960. e kam blere ne 1975. origjinen e ka polak, eshte ursus polak 35 kuaj fuqi. qysh ne ate kohe ky ka punu krejtesisht makineri bujqesore. me plug me mbjellje me te gjitha agregatet ne dispozicion te bujqesise.”
Në vitet ’60, Shqipëria kishte kryesisht mjete bujqësore sovjetike, ndërsa Ursusi polak ishte një risi e rrallë. Asllani e mori pasi fitoi patentën dhe prej asaj kohe u bë një nga mekanizatorët më të përkushtuar në zonë.
Ky mjet bujqësor kryen thuajse të gjitha proceset: plugime, mbjellje, prashitje, vaditje dhe transport. Për Asllanin, marrja e Ursusit ishte një vlerësim i madh në atë kohë, një hap drejt modernizimit të bujqësisë.
“Plugime transport mbjellje prashitje vaditje. te gjitha punet i ben. u gezova kur e mora patjeter se ka qene vleresim i madh ne ate kohe te kishe makineri. para vitit 60 kemi pas mbjelle me parmende me plug dhe u eleminua plugu e keto pajisje primitive. u prishen atehere marredheniet me bashkimin sovjetik dhe u lidhem me kinen. u permiresu gjendja. ne 1969 shkova ushtar ne 1971 u ktheva dhe kam punuar me makineri te shumta me autokembanje po kete mjet e kam preferu shume.”
Një nga veçoritë që e bën këtë traktor unik është ndërhyrja teknike që Asllani i ka bërë vetë, duke modifikuar pompën e naftës, një defekt i njohur për këto mjete.
“Kur këto makineri punonin përtej limiteve, nxirrnin defekte te pompat e naftës. Unë jam i pari në Shqipëri që e kam modifikuar pompën e T28. E ka edhe sot të modifikuar dhe punon
Zgjidhja e tij u bë shembull edhe për specialistë të tjerë, të cilët morën eksperiencën e tij për ta aplikuar më gjerë.
“E kuptova që isha i pari kur erdhi një inxhinier nga Korça dhe pa si e kisha zgjidhur problemin. Atëherë mora vesh që ajo që kisha bërë unë ishte zgjidhje.”
Asllani ka qenë mekanizator në shumë vepra të rëndësishme në vend. Ai ka punuar me autokëmbanja, buldozerë dhe eskavatorë, duke dhënë kontributin e tij në ndërtimin e rrugëve kryesore të vendit.
“Kam punuar me të gjitha makineritë e rënda, me dokumente dhe patente. Kam punuar në Rrugën e Kombit, në bypassin e Shkodrës, të Vlorës… me bypassin e Vlorës e mbylla karrierën time.”
Edhe pse sot është në pension prej 11 vitesh, Asllani nuk i ndahet punës dhe mirëmbajtjes së Ursusit, të cilin e konsideron ekonomik, rezistent dhe të besueshëm.
“Jam mekanik vetë, sot jam në pension. Punoj me këtë makineri, e mirëmbaj dhe shërbimet ia bëj të gjitha vetë. Edhe pse duket i vjetër nga jashtë, punon perfekt. Edhe sot, po të më kërkojnë, edhe pse jam 76 vjeç, jam i gatshëm të punoj prapë.”
Historia e Asllan Ishmakut dhe Ursusit të vitit 1960 është një histori që flet për bujqësinë shqiptare, për punën e ndershme dhe për njerëzit që nuk u dorëzuan kurrë përballë kohës.


