Merrte kredi me kartat e pacientëve, Apeli i Tiranës “kyç” në qeli infermieren e spitalit psikiatrik

schedule14:28 - 13 Tetor, 2021

schedule 14:28 - 13 Tetor, 2021

Apeli ka rrëzuar kërkesën për masë më të butë sigurie të infermieres Elisabeta Bardhollari dhe bashkëpunëtores së saj Orjada Hoxha të cilat u arrestuan pak javë më parë për shkak se merrnin kartat e pacientëve në spitalin psikiatrik ku punonte Bardhollari dhe merrnin kredi. Më 30 shtator Gjykata e Tiranës caktoi arrest me burg për Bardhollarin dhe arrest shtëpie për Orjada Hoxhën. Ky vendim është lënë në fuqi sot nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

Si u zbulua skema

Bardhollari, nënë e dy fëmijëve kishte shkuar në dyqanin ku punonte Hoxha dhe kishte blerë disa elektroshtëpiake. Infermieria i ka pohuar shitëses se disa miq e familjarë të saj donin të merrnin disa produkte me kredi.

Pasi ka marrë aprovimin, infermieria në kohë të ndryshme u kishte vjedhur kartat e identitetit pacientëve dhe ia çonte shitëses me foto. Kjo e fundit niste procedurat e marrjes së elektroshtëpiakeve me kredi.

Rasti u zbulua pas denoncimit të bërë nga një qytetar në polici. Nëpërmjet bankës së nivelit të dytë ku merrej kredia, u identifikua fillimisht shitësja, Orjada Hoxha, 32 vjeçe. Pasi u arrestua ajo pranoi veprimet që kishte kryer duke argumentuar se gjithçka e kishte bërë në mirëbesim.

Në sajë të hetimeve janë dokumentuar 10 raste të vjedhjes, ku vetëm me kartën e identitetit të një pacienti janë marrë kredi në të paktën 4 milionë lekë të vjetra. Sipas policisë, nga operacioni i koduar “Elektro”, u sekuestruan edhe disa pajisje të ndryshme elektroshtëpiake që kapnin vlerën e 40 milionë lekëve të vjetra.

/Abcnews.al