Dy inspektorë të hetimit tatimor në Durrës kanë rënë në prangat e Policisë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Ata janë Gentian Elezi, 29 vjeç dhe Artan Kroji 37 vjeç të dy banues në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur 43 vjeçari me iniciale P.H.
Sipas Policisë të tre këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lek për çdo rast.
Njoftimi i Policisë
Nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi proaktiv 3 mujor për veprat penale ”Korrupsion pasiv personave që ushtrojnë funksione puplike”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- Gentian Elezi, 29 vjeç, banues në Tiranë;
- Artan Kroj 37 vjeç,banues në Tiranë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit P.H. 43 vjeç.
Në ngarkim të tre shtetasve të mësipërm, me detyrë Inspektor të Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë Gjykata e Shkallës së Parë Durrës kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” per nenet 259, 244, 248 e 25 të Kodit Penal.
Të lart-përmendurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lek për çdo rast.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /abcnews.al