Manchester United e ka finale duelin e së hënës përballe Chelsea. Djemtë e Ole Gunar Solskjaer do të tentojnë fitoren në “Stamford Bridge” për t’u afruar me vendin e katërt, që është edhe objektivi i madh i klubit anglez (6 pikë është diferneca me Chelsea e vendit të katërt).
Trajneri i ekipit është ndalur te blerja e re e merkatos së janarit, Odion Ighalo. 30-vjeçari nigerian erdhi në formë huazimi nga kinezët e Shenhua, por gjatë kësaj kohe është detyruar nga klubi të stërvitet i vetëm prej frikës së koronavirusit.
“Ighalo do të grumbullohet për ndeshjen me Chelsea. Do të udhëtojë me skuadrën, ndoshta mund të debutojë në këtë ndeshje. Këto ditë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me të. Nuk është stërvitur ende me skuadrën, por do të përpiqemi të shpejtojmë procesin e përshtatjes së tij me United”, deklaron trajneri norvegjez. /abcnews.al