Pas 8 vitesh dhe shtatë trofesh në kabinet, epoka e Suning ka marrë fund tek Interi. Afati i fundit për shlyerjen e kredisë së kontraktuar në vitin 2021 me Oaktree prej rreth 385 milionë eurosh u caktua të martën më 21 maj, afat që presidenti i Interit, Steven Zhang nuk mundi ta respektonte.
Inter kalon kështu në duart e fondit kalifornian i cili do të nisë procesin për të zbatuar zotimin dhe, për rrjedhojë, do të bëhet pronar i klubit zikaltër. Mungon vetëm njoftimi zyrtar për shtyp, por thelbi nuk ndryshon, skuadra kampione italiane ka një pronar të ri.
Steven Zhang ka provuar gjithçka, por negociatat e gjata me fondin amerikan Pimco, i cili duhej të siguronte 430 milionë euro, duke zënë vendin e Oaktree si kreditor, nuk rezultuan të dobishme dhe as përpjekja për një zgjatje të shkurtër të huasë me fondin kalifornian. Sipërmarrësi i ri nuk ka mundur të gjejë burimet e nevojshme për të shlyer kredinë. Në më pak se gjashtë vjet si numri një i Interit, ai fitoi shtatë trofe, duke u bërë i dyti më i suksesshëm në historinë e klubit, në të njëjtin nivel me Angelo Moratti.
Në total, mes pagesave, huave dhe të ardhurave, Suning ka paguar në arkat e Interit gati 900 milionë euro.
Ditët në vijim do të jenë ditët e burokracisë duke pritur që të vijnë ato të planifikimit. Menaxhimi duhet të konfirmohet në tërësi, sepse askush nuk e ka vënë në dyshim profesionalizmin e madh të Marotta, Aussilio dhe Antonello. Siç raportohet, as linja e rinovimeve nuk do të ndryshojë, pasi do të ecet me strategjinë e krijuar nga Suning./h.ll/abcnews.al