Rivalët do të jenë elitarë. Nuk mund të ndodhte ndryshe kur je në fazën finale të një Kampionati Europian, dhe Shqipëria U17 I mësoi kundërshtarët me shortin e hedhur në Tiranë.
Ceremoninë në “Shtëpinë e Futbollit” e drejtoi shefi I futbollit të djemve në UEFA, Lens Kelli, ndërsa goglat u tërhoqën nga ish-lojtari I kombëtares, Klaus Gjasula, në rolin e ambasadorit të këtij kampionati.
Vendi ynë do të organizojë për herë të parë një fazë finale europiane, pikërisht të këtij niveli, dhe kombëtarja e 17-vjeçarëve do të ketë përballë në Grupin A, Francën, Gjermaninë e Portugalinë.
Po flasim për skuadrat më të mira të kontinentit për këtë moshë.
Portugalia është 6 herë kampione, Gjermania katër, ndërsa Franca e ka fituar këtë kampionat tri herë. Në Grupin B, do të jenë Italia, Belgjika, Anglia dhe Çekia.
Të Kaltrit janë kampionë në fuqi të Europës, dhe e kanë fituar titullin dy herë. Edhe Çekia është shpallur një herë kampione.
Nga të gjitha skuadrat, vetëm Shqipëria U17 është kualifikuar direkt për në fazën finale si vend organizator, ndërsa 7 të tjerat kanë kaluar nëpërmjet fazës eliminatore.
Ndeshjet do të luhen në vendin tonë nga 19 maji deri në 1 qershor, në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, në “Elbasan Arenë”, në “Niko Dovana” të Durrësit dhe në Arenën e Egnatias në Rrogozhinë.
Ndeshja e parë do të jetë ajo mes Shqipërisë dhe Portugalisë në 19 maj në “Arenën Kombëtare”, dhe në të njëjtin stadium do të luhet finalja në 1 qershor.